Teuta mendon për “biznes”, 240 mijë euro të arkëtuara nga 4 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2018 | 16:40

Teuta mendon për “biznes”, 240 mijë euro të arkëtuara nga 4 lojtarë

Teuta ka bërë një biznes të mirë, duke shitur Arbër Çyrbjen për 100 mijë euro te Kukësi. Gjysmën e kësaj shume e morën në dorë, ndërsa 50 të tjera kur të shitet jashtë vendit. Ish-kapiteni është lojtari i vetëm që ka sjellë kaq para në arkat e klubit në vitet e fundit, teksa më herët bregdetarët kanë shitur edhe lojtarë të tjerë. Kujtojmë që këtë sezon drejtuesit përfituan rreth 30 mijë euro nga huazimi i Dajan Shehit te Hajduku i Splitit, ndërsa dy sezone më parë shitën te Skënderbeu mesfushorin e krahut, Nazmi Gripshi për 60 mijë euro.

teutaaa

Këto janë shifra të vogla për t’i krahasuar me ato që kanë përfituar Skënderbeu dhe Kukësi, duke shitur disa prej lojtarëve të tyre më të mirë në klubet europiane. Gjithsesi, ky mund të konsiderohet një plus i madh për Teutën, që tregon se bregdetarët prodhojnë lojtarë dhe janë të aftë t’i shesin, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Në rast se skuadra do të ishte kualifikuar në kompeticionet evropiane, sigurisht që edhe lojtarët do të kishin një vlerë më të madhe, megjithatë e ardhmja duket premtuese. Synimi i bregdetarëve është të afrojnë lojtarë të rinj të perspektivës, t’i promovojnë dhe më pas t’i shesin në klube më të mëdha për ta kthyer klubin në një biznes fitimprurës. Presidenti Edmond Hasanbelliu ka rreth 20 vjet që qëndron në krye të klubit dhe për ta mbajtur Teutën në nivelet më të larta, ka shpenzuar paratë e familjes së tij, por nuk mund të vazhdohet gjithmonë kështu dhe ai e ka pranuar.

teutaa

Futbolli është kthyer në një biznes dhe për të pasur sukses duhet një projekt afatgjatë, ku përveç të ardhurave nga e drejta televizive dhe sponsorët që për të thënë të vërtetën kanë shifra të papërfillshme, pjesëmarrja në Europë dhe shitja e lojtarëve janë çelësi për të pasur sukses dhe klubi të ketë bilance pozitive.

GAVA – Teuta ka qenë gjithnjë e “fiksuar” me lojtarët nga Elbasani dhe këtë herë vështrimin e ka hedhur tek Orgest Gava. Durrsakët kanë interes për mesfushorin, megjithatë ky i fundit është i dyzuar, duke qenë se ka si opsion edhe Kosovën dhe më konkretisht Trepçën e drejtuar prej Gugash Maganit.

Gava

Ditët e ardhshme do të jenë përcaktuese edhe për 28-vjeçarin, që gjatë karrierës së tij ka kaluar për Elbasanin, Shkumbinin, Bylisin dhe së fundmi Lushnjën.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"