Teuta me “sytë” nga sulmi, pritet shpërthimi i dyshes Nikaç-Khalid

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2019 | 13:37

Teuta me “sytë” nga sulmi, pritet shpërthimi i dyshes Nikaç-Khalid

Teuta afroi dy sulmues në merkaton e verës për të zëvendësuar largimet e Tomislav Bushiçit dhe Gerhard Prognit. Bëhet fjalë për dy të huaj, pikërisht malazezin Darko Nikaç dhe ganezin Basit Khalid.

nikac teuta

I pari është aktivizuar në të shtata ndeshjet e deritanishme, por ka arritur të shënojë vetëm një gol, ndërsa Khalid, i cili iu bashkua me vonesë Teutës, ka luajtur vetëm në katër takime, dy prej të cilave titullarë. Ganezi nuk e ka bërë ende sefte me golin, ndërsa drejtuesit e Teutës presin shumë prej tij. Dyshja NikaçKhalid është afruar për të zgjidhur çështjen e golit, por është ende larg pritshmërive. Gjithsesi, besimi i trajnerit Shkëmbi është maksimal dhe pritet shpërthimi i tyre në ndeshjet e ardhshme.

STARTI

Teuta e ka nisur pozitivisht sezonin e ri dhe për momentin duket se gjithçka funksionon mirë. Portieri Frashëri po menaxhon me besim ato pak rreziqe që i vijnë në drejtim të tij, kur bëhet fjalë për ato raste që kalojnë mbrojtjen, e cila është shfaqur solide në 7 javët e para. Në mesfushë, Aleksi, Avdyli dhe Gashi bëjnë punën e tyre për mrekulli, teksa treshja e Teutës kontrollon lojën, shpërndan topa në mënyrë efektive, duke dominuar ndaj çdo kundërshtari.

teuta kukesi

Sidoqoftë, edhe sulmi i ekipit po mundohet dhe po merr vëmendjen, me Nikaçin, Khalidin apo Çyrben, që shfaqen në çdo ndeshje në mënyrë të rrezikshme për të siguruar fitoren e skuadrës. Paraqitja aktuale e Teutës nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi pritet të zgjasë sa më shumë dhe të përmirësohet më tepër. Starti duket i mbarë te durrsakët, por Teutës i duhet më shumë guxim, në mënyrë që t’i “vrasin” më shpejt ndeshjet dhe të nisin shkëputjen me rivalët, pasi bëhet fjalë për një kampionat ku pretendojnë rreth 70% e skuadrave, referuar renditjes aktuale.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"