Teuta me ndryshime, Shkëmbi bën gati kurthin kundër bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 13:55

Teuta me ndryshime, Shkëmbi bën gati kurthin kundër bardhebluve

Në ndeshjen ndaj Kukësit, Teuta hyri në fushë me disa mungesa kryesore. Shkëmbit iu desh të zëvendësonte dy mbrojtësit e dëmtuar, Qaqi dhe Jazxhi, të cilët janë projektuar si titullarë këtë sezon. Ndërsa në prag të përballjes me Tiranën në kryeqytet, Harallamb Qaqi është bashkuar me grupin dhe do të mbahet nën vëzhgim deri në momentet e fundit për ndeshjen që do të luhet nesër në “Selman Stërmasi”, në orën 16:00.

TEUTA

Ndeshja kundër kampionëve në fuqi do të jetë shumë e vështirë, por në Durrës janë shumë të përkushtuar dhe të angazhuar në maksimum që të arrijnë rezultat pozitiv. Brenda skuadrës shihet një atmosferë shumë e mirë dhe të gjithë janë të bashkuar dhe të gatshëm që të përkrahin njëri-tjetrin. Ndërsa dje, Teuta ka zhvilluar edhe seancën stërvitore nën urdhrate trajnerit Bledi Shkëmbi.

PËRGATITJET

Në prag të ndeshjes kundër Tiranës, tekniku Shkëmbi dhe stafi i tij kanë zhvilluar një seancë tekniko-taktike. Vështirësia është tepër e madhe, e sidomos kur përballë do të jetë një kundërshtar që garon për titullin kampion. Përpos këtij fakti, të besuarit e trajnerit korçar besojnë se do t’ia dalin dhe skuadra ka punuar intensivisht gjatë gjithë javës, me një grup që tashmë është i plotë duke i dhënë mundësinë stafit teknik që të përzgjedhë formacionin më të mirë. Përpara se të niste seanca, Shkëmbi ka zhvilluar një analizë të shkurtër me të gjithë ekipin, duke u munduar që të mobilizojë grupin dhe hapur ka kërkuar një reflektim për ndeshjen e radhës. Misioni mbetet i qartë: tri pikët. Stafi teknik ka shpjeguar programin e ditës dhe përgatitjet kanë nisur me ritëm, por ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Sulmi është sektori, i cili po merr vëmendjen më të madhe. Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë. Shkëmbi pret me ngulm që skuadra të gjejë rezultatet e munguara, por pse jo të rikthehet edhe te golat. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin, me shpresën që kthesa e madhe të mos vonojë.

DALJA NGA ZONA E FTOHTË

Edhe pse kampionati është në fillimin e tij, ndeshjet e para kanë kaluar dhe Teuta gjendet në një pozitë jokomode, duke u renditur e parafundit. Drejtuesit kanë kërkuar që tashmë gabimet janë thuajse të ndaluara. Një tjetër disfatë do të rrezikonte pozitat në renditje dhe këtë “djemtë e detit” e kanë shumë të qartë.

Z.QYPI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"