Teuta me “laps në dorë”, detyrim dy fitore radhazi. Ja si pritet të rreshtohen durrsakët ndaj Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 18:07

Teuta me “laps në dorë”, detyrim dy fitore radhazi. Ja si pritet të rreshtohen durrsakët ndaj Bylisit

Drejtori Sulejman Starova, një ditë më parë në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, e bëri të qartë se çfarë pritet nga Teuta në vijim. Gabimet nuk lejohen më, kështu që ekipi duhet të gjejë ritmin e duhur dhe për të luftuar për objektivat që ka klubi. Skuadra ka zhvilluar gjatë mesditës së djeshme përgatitjet e radhës, ku të gjithë lojtarët ishin të pranishëm.

Teuta logo

Todorovski u stërvit me pjesën tjetër të skuadrës dhe do të jetë një alternativë më shumë për trajnerin Martini ndaj Bylisit. Martini dhe stafi i tij kishin planifikuar dje një seancë tekniko-taktike, pasi synojnë që ta përshtatin skuadrën sa më mirë për ndeshjen e nesërme. Drejtuesit kërkojnë me çdo kusht që Teuta të rikthehet si pretendente reale, por që të realizohet kjo, duhen shmangur gabimet e bëra javë pas jave.

20 pikë në 13 takime janë shumë pak për durrsakët, ndaj ka ardhur koha për ndryshimin e madh. Këtë sezon Teuta ka më pak pikë se vitet e fundit. Martini kërkon nga çdo lojtar që të jetë agresiv dhe të sulmojë. Pra, kërkohet që Teuta të funksionojë si një trup, të sulmojë dhe të mbrohet në grup.

RRESHTIMI — Ndaj Bylisit mbrojtja pritet të stabilizohet me rikthimin e Todorovskit. Frashëri do të jetë në portë, ndërsa në mbrojtje nga minuta e parë priten Kuro, Arapi, Hoxha dhe Todorovski. E.Vila dhe Bregu do të kenë për detyrë që të asistojnë përpara, ndërsa L.Vila do t’i bashkëngjitet Krasniqit në krye të sulmit. Bregu pritet të luajë para sulmit kur skuadra të jetë duke sulmuar.

Teuta

Detyra kryesore e Aleksit dhe Karabecit do të jetë prishja e aksioneve të kundërshtarit. Sakaq, tekniku pret që lojtarët të zbatojnë me përpikëri detyrat që ai u ka dhënë dhe mbi të gjitha të jenë të përqendruar dhe të disiplinuar në fushë. Martini është i idesë që gjithçka mund të realizohet nëse gjithsecili bën çka i takon.

KALENDARI — Në fazën e parë në Ballsh, Teuta barazoi 0-0 me Bylisin, por në sfidën e së premtes në “Niko Dovana” asnjëra prej dy skuadrave nuk do të mjaftohet me barazim. Martini e ka grupin të plotë dhe do të kërkojë të marrë maksimumin prej tij. Durrsakët krijojnë volum loje, por dalin me vështirësi te goli, një problematikë që duhet zgjidhur sa më shpejt për të mos kompromentuar sezonin.

Teuta stervitje

Teuta pret nesër në Durrës Bylisin, ndërsa mesjavën e ardhshme udhëton në Kamzë për t’u përballur me Kastriotin. Duken kundërshtarët idealë për të bërë kthesën duke i dhënë fund ecurisë jo të mirë, ndonëse natyrisht në fushë asgjë nuk mund të jetë e lehtë. Për Teutën, fitorja ndaj këtyre dy ekipeve është më tepër se detyrim.

ZAMIR QYPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"