“Teuta më ka rritur, koha për ta mundur në fushë”, Çyrbja: Ja çfarë synon presidenti për Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 20:11

“Teuta më ka rritur, koha për ta mundur në fushë”, Çyrbja: Ja çfarë synon presidenti për Egnatian

Përballja me Teutën do të ketë një karakter të veçantë për trajnerin e Egnatias, Gugash Magani, sulmuesin Artur Magani, por edhe Arbër Çyrbjen që kanë statusin e ish-it në këtë takim. Por, më specifike do të jetë për Çyrbjen, që pjesën më të madhe të karrierës e ka në Durrës dhe ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të Teutës. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 28- vjeçari pohoi se nuk i harron kujtimet që ka në Durrës, por tani ish-kapiteni kërkon ta mundë Teutën si lojtar i Egnatias.

cyrbja

Arbër, si po ju duket ky kampionat me Egnatian?

Besoj se jemi në rrugën e duhur, por kampionati është shumë i gjatë dhe e mira nuk ka fund. I kemi vlerësuar kundërshtarët kudo ku kemi luajtur. Besimi është i madh se do ta realizojmë objektivin e klubit. Ka pasur një investim konkret e projekt serioz që i ka dhënë Egnatias shumë detaje për të qenë rivalizuese. Duhet t’i marrim takimet me radhë dhe më pas çdo parashikim është i arritshëm.

Jeni në formën tuaj më të mirë apo prisni më shumë?

Mendoj se jam mirë deri tani me paraqitjet e mia. Asnjëherë nuk duhet të kënaqem, pasi akoma nuk kam arritur te forma që dëshiroj. Dëshira është e madhe. Me përgatitjet me ritëm të lartë si gjithmonë do t’ia dal të kap pritshmëritë. Jam munduar të bëj maksimumin kudo që luaj. Synoj që t’u shërbej shokëve me asiste që janë shndërruar në gola. Gjatë seancave mundohem të përfitoj sa më shumë të jetë e mundur.

Prisni Teutën, një skuadër ku keni dhënë shumë dhe mbajtur shiritin e kapitenit. Cila është ndjesia tani që do të jeni kundërshtar me ta?

Është e vërtetë që në atë klub jam rritur. Kam shumë kujtime për të mirë dhe për keq me Teutën, ku kam mësuar shumë gjëra sezon pas sezoni. Për mua është ndjesi e mirë që do të luaj kundër ish-skuadrës sime, por dua ta fitoj këtë përballje me klubin ku bëj pjesë.

Cili është objektivi real i Egnatias në këtë sezon në Superiore?

Të paraqitemi sa më mirë, por presidenti ka si objektiv pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Ka kohë plot në vijim. Kampionati është i gjatë, do të shikojmë gjatë rrugës për të qenë sa më lart e ta rendisim Egnatian aty ku e meriton. Ne bëjmë llogaritë tona pas çdo ndeshjeje. Shpresoj që, veç formës së mirë, të kemi edhe fatin në anën tonë.

Jeni sulmues krahu, a keni një synim për golat që mund të shënoni?

Objektivi im është që në çdo takim të marrim maksimumin e pikëve dhe ta ndihmoj skuadrën sa më shumë. Kam më shumë dëshirë të asistoj gjatë lojës dhe të shënoj. Gëzimi është i përbashkët midis nesh, pasi jemi për një qëllim. Mendoj se do të jetë e afërt koha që të shënoj golin e parë për fanellën e Egnatias. Kudo ku kam luajtur më parë, ecurinë e skuadrës e kam vendosur përpara golave të mi.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"