Teuta/ Martini, apel lojtarëve: Dua vetëm fitore ndaj Korabit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 10:14

Teuta/ Martini, apel lojtarëve: Dua vetëm fitore ndaj Korabit!

Trajneri i Teutës, Edi Martini, në takimin që ka pasur me lojtarët para seancës së fundit stërvitore në prag të përballjes së Kupës me Korabin, ka kërkuar nga ekipi një vlerësim maksimum ndaj Korabit.

TEUTA

“Nuk duhet asnjë nënvlerësim këtë ndeshje. Duhet të tregojmë se kemi potencial dhe jemi në gjendje të bëjmë shumë. Kjo duhet treguar që në takimin e radhës ndaj Korabit, ndeshje të cilën duhet ta fitojmë.

Kalimi në turin tjetër është objektivi ynë kryesor, ndërsa më pas të mendojmë të qetë për takimin e radhës që kemi në kampionat përballë Skënderbeut”, mësohet se u ka thënë ndër të tjera trajneri Martini lojtarëve të Teutës para seancës së fundit stërvitore për Korabin.

Teuta vjen pas humbjes në kampionat dhe përpara se të luajë për javën e 9-të ndaj korçarëve, duhet të bëjë sot një sforco ndaj Korabit për të vulosur kualifikimin, meqë hapin e parë e hodhën në Peshkopi ku fituan 1-0. Më pas ka nisur stërvitja e cila është ndërthurur me taktikë dhe batuta nga të pranishmit.

Në këtë seancë stafi ka “kristalizuar” formacionin për ndeshjen e sotme me dibranët. Atmosfera te kampionët është në harmoni të plotë, teksa si trajneri, stafi apo lojtarët e shoqërojnë çdo seancë me të qeshura, humor me njëritjetrin dhe ndërveprim maksimal në çdo ushtrim që kryhet.

Gjatë seancës së djeshme u krye edhe një minindeshje kontrolli në gjysmëfushë ku dukej qartë se lojtarët pa jelekë ishin ata që për momentin nuk kanë zënë një vend në formacion për sfidën e Kupës.

Nga ajo që u pa dje, pritet që Teuta të hedhë sot në fushë ndaj Korabit këtë formacion: Celeski, Idrizaj, Kotobelli, Ivanoviç, Todorovski, L.Beqja, E.Vila, Kallaku, L.Vila, Koubemba dhe Gjorgiev. Pra, duket qartë që durrsakët e kanë vlerësuar Korabin duke bërë një rrotacion të lehtë në formacion.

TE

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"