Teuta kërkon tifozët ndaj Skënderbeut, synohet Europa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2017 | 11:07

Teuta kërkon tifozët ndaj Skënderbeut, synohet Europa

Teuta, ndonëse është mundur 1-0 në ndeshjen e parë të turit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë në Korçë, ka shpresa se nesër mund ta bëjë mrekullinë duke kaluar në finale. Për ta arritur këtë sukses, skuadra e trajnerit Gugash Magani kërkon përkrahjen e tifozërisë durrsake.

Teuta feste

Duke parë rëndësinë e këtij takimi, që mund të sigurojë një biletë europiane për Teutën, drejtuesit e klubit, stafi teknik, por edhe lojtarët bëjnë thirrje për mbështetje masive nga ana e tifozëve durrsakë në ndeshjen e kthimit me Skënderbeun. Me angazhimin e tyre maksimal, por edhe me një përkrahje të zjarrtë nga tifozët, lojtarët e Teutës kanë besim se mund t’ia dalin ndaj korçarëve.

Faizal

Humbja me Kukësin ka lënë shije të hidhur në kampin durrsak. Megjithatë, kohë për të “qarë” nuk ka, pasi të mërkurën luhet akti i dytë i Kupës kundër Skënderbeut dhe në fundjavë luajnë me Partizanin. Faizal Bangal, i cili mungoi të dielën për shkak të të verdhëve, ndaj korçarëve do të jetë në fushë.

bangal

“Ndeshja me Kukësin duhet harruar. Nuk ishim në nivelin e kërkuar. Për mendimin tim, nuk u justifikua puna e bërë në stërvitje, si dhe detyrat e trajnerit nuk u zbatuan siç duhet. Edhe pse me disa rezerva ndaj arbitrimit, në shumë ndeshje janë episodet që vendosin, gjithsesi faji mbetet i yni dhe duhet t’i korrigjojmë në 7 javët e mbetura. Nuk ia vlen të merremi me atë çfarë iku, pasi nuk do të ndryshojë asgjë në favorin tonë, thjesht do na bëjë më konfuzë.

Duhet të jemi më të qetë dhe të korrigjojmë gabimet e bëra, duke filluar nga ndeshja e Kupës me Skënderbeun ku duhet të jemi në ditën tonë më të mirë nëse duam të përmbysim atë rezultat të pastër 1-0. Një rezultat i tillë, kur nuk ke pësuar gol në fushën tënde, të jep qetësi, por ne shpresojmë që mund t’ia dalim.

E dimë që do ta kemi të vështirë, por asgjë nuk është e pamundur. Finalja e Kupës është një ndër objektivat tanë dhe kemi mbi tre muaj që jemi fokusuar te ky trofe që përkthehet me zonën ‘Euro’. Të fokusuar jemi edhe në kampionat, pasi në lojë janë shumë pikë dhe nuk duam të rrezikojmë, por me skuadrën që kemi, kam siguri që do t’ia dalim me sukses që të sigurojmë mbijetesën”, u shpreh Faizal Bangal për “Panorama Sport”.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"