Teuta ka festë, sot në fushë për 100-vjetorin. Çyrbja: Fitojmë me Erzenin, një trofe dhuratë për tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 10:09

Teuta ka festë, sot në fushë për 100-vjetorin. Çyrbja: Fitojmë me Erzenin, një trofe dhuratë për tifozët

Durrësi është i gjithi në ftesë, Teuta mbush sot 100 vjeç. Ishte 29 janari i 1920-ës, kur u themelua klubi i futbollit. Në fillesat e saj njihet si “Klubi Sportiv Urani”, e për të kaluar me radhë në “Sport Klub Durrës” apo “Klubi Sportiv Teuta Durrës”. Në vitet e komunizmit njiheshin si “KS Ylli i Kuq Durrës”, “SK Durrës”, “SK Puna Durrës” apo “KS Lokomotiva”, derisa morën emrin që mbajnë sot e kësaj dite, në nder të Mbretëreshës Teutë.

Teuta festa e golit (1)

Në këtë ditë kaq të rëndësishme dhe jubilare, do t’u duhet që të zbresin në fushë për të luajtur ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Skuadra e drejtuar prej Edi Martini do të sfidojë Erzenin në orën 14:00 në “Tofik Jashari”. Një ndeshje e lehtë në letër, por që durrsakët e kanë marrë më shumë se seriozisht. Nuk duan assesi ta diskutojnë kualifikimin, pasi për 100-vjetor mendojnë t’u bëjnë tifozëve një trofe si dhuratë. I këtij mendimi është edhe Arbër Çyrbja, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” paralajmëron fitoren ndaj shijakasve.

cyrbja

Teuta feston 100-vjetorin në Shijak, çfarë vlere merr kjo ndeshje për ditëlindje?

I kemi dhënë rëndësinë e duhur ndeshjes, pasi kjo do të ishte një dhuratë e vogël për tifozët për këtë ditëlindje. Them e vogël, pasi të madhen mendojmë t’ua japin në fund me ndonjë trofe.

A është Kupa e Shqipërisë rruga më e thjeshtë për të marrë trofe?

Jemi të fokusuar te ky kompeticion dhe do të luftojmë për ta fituar. E rëndësishme është të kalojmë njëherë Erzenin dhe me pas do të mendojmë për sfidat e radhës që do të na rezervojë Kupa e Shqipërisë.

Sa moral i dha ekipit fitorja ndaj Bylisit në kampionat?

Ishte një ndeshje që të mbush me besim për mënyrën se si u interpretua. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Me lojëra të mira, rezultatet vijnë vetë.

Teuta Lorenco Vila

Fundjava ju rezervon një ndeshje të rëndësishme, përballë do të keni Tiranën… 

Është një përballje rivalesh, ndaj emocioni dhe spektakli do të jenë të garantuara. Ne nuk do ta nënvlerësojmë, madje e konsiderojmë një nga ndeshjet me të vështira të kësaj faze. Është një skuadër që ka ndërruar trajner dhe efektet e dorës së tij janë të dukshme. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj përballjeje.

Tirana vjen me 5 fitore radhazi. Sa do të ndikojë kjo gjë?

Mjafton që ne të jemi në 100% të dielën. Të tregojmë në fushë të njëjtën ego dhe dëshirë si ndaj Bylisit.

Si është atmosfera në skuadër?

Situata në skuadër ka qenë gjithmonë e mirë, si në humbje ashtu edhe në fitore. Futbolli kështu e ka, ndaj mjafton që të jemi të bashkuar.

Deri ku mund të shkojë Teuta këtë sezon?

Unë mendoj se ne po dhamë 100%, mund të shkojmë shumë larg. Në situata të ndryshme, nuk kemi qenë në maksimum. Por, nëse ruajmë formën aktuale, mund t’i përsëritim rezultatet e dy fazave të para.

Sa i mundshëm është titulli për këtë sezon?

Kampionati është i gjatë. Objektivi ynë është ndeshja e radhës në Tiranë.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"