Teuta, ikën Koreshi, vjen serbi Milovanoviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2015 | 20:50

Teuta, ikën Koreshi, vjen serbi Milovanoviç

KoreshiMesfushori Erlind Koreshi nuk do të jetë më pjesë e Teutës për sezonin e ri futbollistik. Lojtari dhe klubi durrsak kanë shpallur pasditen e djeshme “divorcin” pas rreth një viti bashkëpunim. Kështu, duke nisur nga dita e sotme, mesfushori do të jetë i lirë, ndërsa është në kërkim të një skuadre tjetër për të vazhduar karrierën e tij futbollistike.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, mesfushori theksoi se ka tërhequr të gjithë dokumentacionin nga Teuta dhe se është në kërkim të një skuadre të re për të vazhduar karrierën e tij. “Duke nisur nga sot (dje), nuk jam më pjesë e skuadrës së Teutës. Kjo pasi nuk arritëm të gjenim gjuhën e përbashkët me drejtuesit e skuadrës, ndaj dhe bashkërisht vendosëm të ndërprisnim bashkëpunimin. Kjo për të mirën e të dyja palëve.

Në mesditë (dje) takova presidentin Edmond Hasanbelliu dhe vendosëm se do të jetë më mirë për të dyja palët që secili të shikonte drejtimin e vet”. Serbi Megjithatë, zëvendësuesi i Koreshit është gjendur menjëherë. Bëhet fjalë për sulmuesin serb Dragan Milovanoviç. Drejtuesit e klubit durrsak kanë bërë të ditur se është arritur akordi me 29-vjeçarin dhe ai do të dalë sot në stërvitje. Një lojtar shtatlartë 1.82m dhe me aftësi të mira. Prej tre sezonesh ai ka qenë pjesë e skuadrës Radnicki Kragujevac në Superligën serbe. Gjatë kampionatit të fundit, ai është aktivizuar në 17 takime dhe ka shënuar katër gola. Teuta po merr formë nga dita në ditë dhe pritet që në vazhdim të ketë afrime të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"