Teuta i çan rrjetën Korabit, goleadë ndaj dibranëve për t’i ikur fundit (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2017 | 17:23

Teuta i çan rrjetën Korabit, goleadë ndaj dibranëve për t’i ikur fundit (Video)

Teuta ka bërë detyrën sot ndaj Korabit duke marrë një fitore të thjeshtë 4-0 ndaj Korabit të rënë nga kategoria. Skuadra durrsake ka dominuar takimin e sotëm për të marrë tri pikët që i duheshin për t’iou larguar sa më shumë zonës së ftohtë të klasifikimit.

Suksesi ishte meritë e një pjese të parë të shkëlqyer, ku Teuta goditi dy herë shtyllën para se Papa të gjente golin e avantazhit në minutën e 19. Dominimi i ekipit durrsak vazhdoi gjatë 45 minutave të para dhe Magani, para fundit të pjesës, dyfishoi shifrat për ekipin e tij.

Në fillimin e 45 minutave të dyta, ishte Progni ai që dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni të shpejtë për të çuar shifrat në 3-0. Ndërsa Çyrbja, me një goditje dënimi perfektë shënoi edhe golin e katërt. Më pas, ritmi i lojës ra ndjeshëm dhe pavarësisht tentativave të Korabit për të shënuar të paktën një gol nderi, rezultati nuk ndryshoi më.

magani

MINUTË PAS MINUTE

90’+2’ Mbyllet gjithçka me fitoren e pastër 4-0 të Teutës

90’ Dy minuta shtesë në këtë ndeshje.

90’ Shabani ekzekuton një goditje dënimi për Korabin, rreth 20 metra larg kuadratit të portës. Kastrati devijon me vështirësi dhe topi përplaset në shtyllë para se të dalë nga kuadrati.

82’ Provon Korabi të shënojë golin e nderit, por nuk arrin të konkretizojë rastet që krijon. Pas një harkimi nga këndi, Kaloshi kërcen mbi mbrojtësit kundërshtarë dhe godet me kokë, por topi del jashtë kuadratit.

68’ Hoxhaj provon me një goditje dënimi nga rreth 25 metra, por topi kalon mbi traversën e katërkëndorit të portës durrsake.

64’ Çyrbja ekzekuton një goditje dënimi në mënyrë perfektë duke dërguar shifrat në 0-4 për durrsakët.

52′ Të dy trajnerët bëjnë lëvizjet e tyre. Në fushë Marinaj për Korabin dhe Borshi për Teutën.

49’ Aksion i shpejtë i Teutës që nxjerr Prognin në pozicion të favorshëm para portës. Mesfushori nuk gabon duke dërguar topin në rrjetë me një gjuajtje e cila çan rrjetën, me kuptimin e plotë të fjalës. Ndërpritet për pak çaste ndeshja pas këtij goli, për të rregulluar pjesën e çarë pas gjuajtjes së mesfushorit të Teutës. 0-3

46′ Rifillon ndeshja. Gjuan topin nga qendra skuadra e Teutës.

45′ Mbyllet me avantazhin e dyfshtë të merituar të Teutës pjesa e parë e ndeshjes.

40’ Zhbllokohet më në fund Artur Magani, sulmuesi merr një top në qendër dhe pas një kontrolli të mirë, mposht me të djathtën portierin Prençi. 0-2.

32’ Vazhdon të ketë superioritet Teuta në fushën e lojës, duke luajtur gjithmonë pranë zonës kundërshtare. Zefi tregohet shumë i vëmendshëm pas një pasimi nga e djathta për Maganin, duke larguar topin para se të mbërrinte te sulmuesi, i vetëm para portës.

26’ Hoxhaj ka mundësinë e artë për të barazuar rezultatin, por nuk ka qetësinë e duhur ndonëse në një pozicion të favorshëm brenda zonës durrsake, duke dërguar sferën jashtë.

19’ Papa zhbllokon rezultatin. Fillimisht një gjuajtje e durrsakëve ndalet nga shtylla, ndërsa pas disa tentativave drejt portës, sfera mbërrin përsëri te Papa i cili dërgon topin në rrjetë me një gjuajtje të fortë nga distanca. 0-1.

13’ Papa jep shkëndijën e parë me një gjuajtje nga jashtë zonës. Por goditja e tij ndalet në shtyllën pingule në të djathtë të Prençit dhe më pas është Hila i cili gjuan në duart e portierit.

7’ Ndeshje me ritëm të ulët në minutat e para, me shumë qarkullim topi, por ende pas raste të krijuara nga të dy ekipet para portave kundërshtare.

1′ Nis sfida që luhet në “Elbasan Arena”.

Korabi-Teuta 0-4
19′ Papa, 40′ Magani, 49′ Progni, 64′ Çyrbja

Korabi: En. Prençi, Shabani, Kaja, El. Prençi, Arifaj (46′ Kalemi), Zefi, Gavazaj (52′ Marinaj), E. Kaloshi, Mziu, Kraja,  Hoxhaj (70′ Murrja).

Trajner: Ermal Nexhipi

Teuta: Kastrati, Beqja, Shkalla, Markoviç, Kotobelli (52′ Borshi), Çyrbja, Progni (62′ Sykaj), Dita, Hila (56′ Musta), Papa, Magani

Trajner: Gugash Magani

Gjyqtar: Laver Alla

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"