Teuta, Hebaj sheh fitoren e parë: Ky grup lojtarësh nuk është për vendin që mban në tabelë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 23:08

Teuta, Hebaj sheh fitoren e parë: Ky grup lojtarësh nuk është për vendin që mban në tabelë

Rubin Hebaj mendon se ka ardhur mo menti që Teuta të marrë tri pikët e para këtë kampionat dhe t’i largohet sa më shpejt pjesës së poshtme të tabelës. Sulmuesi shkodran i durrsakëve, në një intervistë për “Panorama Sport”, thekson se grupi i lojtarëve që ka Teuta meriton më shumë dhe sipas tij kthesa në rezultate do të vijë që të shtunën.

Hebaj

Rubin, vetëm barazim ndaj Vllaznisë. Mendoni se mund të merrnit më tepër?

Duke parë mënyrën se si shkoi ndeshja, unë mendoj se duhet të fitonim. Natyrisht, u futëm në fushë me dëshirën për të marrë tri pikë. Kur luan mirë dhe nuk shënon, sigurisht të vjen keq.

Patët një rast të pastër për të shënuar, por goditja juaj me kokë u grushtua mrekullisht nga Zogoviç…

Normalisht që më vjen keq, por mendova se topi hyri në rrjetë. Nuk paska qenë e shkruar të ishte gol, por meritë ka edhe portieri.

Të shtunën luani në transfertë ndaj Kastriotit. Çfarë prisni?

Këtu nuk ka shumë për të folur. Thjesht dhe qartë, që Teuta në çdo ndeshje ka objektiv vetëm fitoren. S’ka rëndësi kush është rivali, forma apo vendi. Luajmë për tri pikë, sepse duam të ngjitemi në tabelë. Duhet të largohemi sa më shpejt nga vendet e fundit.

Si është gjendja e skuadrës dhe sa besoni se mund të merrni fitoren e parë?

Mendoj se jemi në gjendje të mirë, qoftë nga ana psikologjike dhe fizike. Këtë periudhë kemi bërë përgatitje mjaftueshëm për të qenë në gjendje optimale. Përballë kemi një kundërshtar të fortë, por shpresojmë të bëjmë më të mirën për të marrë fitoren e parë.

Një tjetër barazim do të ishte i pranueshëm?

Kastrioti është një ekip i fortë, por ne do të tentojmë tri pikët, sepse nuk kemi se çfarë humbasim. Jemi Teuta dhe për të ecur si duam duhet të jemi në lartësinë e duhur për të kaluar këtë situatë.

Në sezonin e kaluar shënuat 10 gola, besoni se mund të kaloni këtë shifër?

Dëshira është që të bëjmë më mirë se sezoni i shkuar, por në futboll jo çdo gjë që thuhet del ose më saktë ashtu siç e dëshirojmë. Duhet ta tregojmë me vepra në fushën e lojës. Në stërvitje të gjithë jemi shumë përkushtuar dhe na ngelet që gjatë garës të jemi konkret me rezultate.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"