“Teuta gati për shkëputjen”, Albano Aleksi: Sezon pozitiv për ne, duam fitoren ndaj Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 13:48

“Teuta gati për shkëputjen”, Albano Aleksi: Sezon pozitiv për ne, duam fitoren ndaj Apolonisë

Teuta do të ndeshet ditën e shtunë në orën 16:00 me Apoloninë, në takimin e vlefshëm për javën e 27-të të Kategorisë Superiore. Mesfushori i bluve, Albano Aleksi, në prononcimin e tij për “Panorama Sport” në prag të kësaj sfide, u shpreh se të gjithë presin suksesin e Teutës. Ai vlerëson Apoloninë, por shprehet se Teuta do kërkojë tri pikët, për të mos lëshuar terren dhe të vijojë të kryesojë.

aleksi

Pas fitores me Laçin, a mund të themi se kjo është Teuta që presin të gjithë?

I gjithë Durrësi pret suksesin tonë, ne do të përpiqemi të tregojmë më të mirën tonë dhe t’iu japim suksesin që presin. Më e mira për ne është që të marrim 6 pikë në këto dy ndeshje. Ne kemi punuar shumë në stërvitje, dhe të gjithë do të luajmë të bashkuar, si në ndeshjen kundër Laçit

Afrohet fundi i kampionatit, afrohet Teuta drejt titullit…

Për një futbollist, nuk ka kënaqësi më të madhe kur kontribuon në sukseset e skuadrës. E ndjej se tani jam në momentin më të mirë. Të vazhdojmë me këtë ecuri për t’u shkëputur akoma dhe me shumë, edhe të jemi në rrugën e drejtë për titullin kampion.

Gjatë festimit të golit u rrëzuat në pistë. U dëmtuat?

(Qesh) Janë momente që mund t’i ndodhin çdokujt, pasi nuk mendon shumë për këtë pjesë. Sidomos në të tilla ndeshje, ku fitorja ishte e rëndësishme. Fatmirësisht, nuk kam asgjë dhe jam mirë.

Jeni i kënaqur me performancën tuaj?

Nuk ka futbollist që s’dëshiron të japë më të mirën në lojë, por secilit i ndodh të përballet me periudhë krize. Këtë e shohim edhe në kampionatet më të mëdha, jam në momentin më të mirë. Kuptohet se në plan të parë është ekipi dhe rezultatet e skuadrës. Fatmirësisht, edhe në këtë segment qëndrojmë shumë mirë dhe besoj se do të vazhdojmë me këtë ecuri.

Si e shikoni sfidën ndaj Apolonisë?

Si çdo sfidë të radhës. Në 26 javë, ndeshjet kanë treguar që nuk ka sfida të lehta. Ekipet janë aty-aty në performancë. Apolonia ka një ekip me djem të rinj që duan të promovohen dhe janë të motivuar në çdo ndeshje. Në të njëjtën shkallë motivimi, duhet të jemi dhe ne, se në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë.

Cilin nga rivalët e shihni si më të rrezikshëm për titull?

Ne kemi rival vetëm Apoloninë, sepse do të fokusohemi te ndeshja e së shtunës. Ndeshje pas ndeshje do t’i shohim se cilët mund të jenë rivalët më të fortë dhe jo të fortë. Unë e thashë që në këtë kampionat nuk ka diferenca.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"