Teuta fiton testin me të rinjtë, gati për përballjen me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2017 | 19:35

Teuta fiton testin me të rinjtë, gati për përballjen me Partizanin

Pas një jave punë me intensitet të lartë, tekniku Magani ka testuar skuadrën e tij në një përballje miqësore me të rinjtë e drejtuar nga Gentjan Begeja. Skuadra e parë fitoi me rezultatin 4-1, ku ra në sy dominimi i të besuarve të Maganit. Në pjesën e parë, të rinjtë i hapën punë skuadrës së parë duke i bërë rezistencë në të gjitha frontet.

Teuta, trofeu Paskuçi

Me vështirësi skuadra e parë arriti të zhbllokonte rezultatin, ndërsa pjesa e dytë foli totalisht për ta. Pas pak minutash lojë nga pjesa e dytë, të besuarit e Maganit realizuan golin e dytë, më pas të tretin dhe pas pak të katërtin. Ndërsa të rinjtë shkurtuan diferencën. Ky test nxori në dukje punën e kësaj jave, por Magani kishte rezerva për disa lojtarë që sipas tij janë ende larg pritshmërive të tij.

Ajo që e kënaq peqinasin është fakti se grupi po punon me intensitet të lartë dhe me përjashtim të mesfushorit Çyrbja, i cili ka pësuar një dëmtim në sfidën e kthimit me Tërbunin për Kupën e Shqipërisë, pjesa tjetër e lojtarëve janë në formë të mirë. Të gjitha përgatitjet dhe testet po zhvillohen në kuadër të sfidës me Partizanin, e cila konsiderohet shumë e rëndësishme nga të dyja skuadrat.

Teuta kërkon të rikthehet te fitorja pas dy hapave të gabuar, ndërsa Partizani do të kërkojë fitoren e parë në pesë javë kampionat. Teuta ka fituar dy ndeshje, ka humbur një në shtëpi dhe ka fiksuar një barazim. Të besuarit e Maganit kanë shënuar pesë gola dhe kanë pësuar katër në katër javë kampionat. “Djemtë e detit” fituan në ndeshjen e parë me Luftëtarin 2-1, triumfuan në transfertë me Vllazninë 0-1, humbën në “Niko Dovana” kundër Flamurtarit 1-2 dhe barazuan ndaj Kamzës 1-1.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"