Teuta fitoi gjithçka në basketboll, trajneri Lazimi: Finale emocionuese, fituam sepse ruajtëm qetësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2021 | 21:54

Teuta fitoi gjithçka në basketboll, trajneri Lazimi: Finale emocionuese, fituam sepse ruajtëm qetësinë

Trajneri i Teutës, Melzin Lazimi, u shfaq shumë i kënaqur me skuadrën dhe trofeun e fituar, teksa në një prononcim për “Panorama Sport” e komentoi kështu finalen:

Trajneri Melzin Lazimi

Trajneri Melzin Lazimi

“Finalja ishte një ndeshje me emocione shumë të forta, një takim të cilin e luanim në fushën e kundërshtarit. Sigurisht që të luash në këto takime është e vështirë, aq më tepër për skuadrën tonë, pasi kemi një ekip të ri, me lojtarë që vijnë nga jashtë, të cilët disa prej tyre e kanë sezonin e parë që luajnë si profesionistë. Megjithatë, të gjithë kanë qenë të përkushtuar dhe kemi arritur të kurorëzojmë një fazë të parë shumë të mirë, me vendin e parë në kampionat, me rezultate të mira në Ligën Unike dhe tani me këtë Superkupë. I përgëzoj të gjithë sportistët, ndihmësit e mi dhe klubin, pasi është pa diskutim një sukses i të gjithëve bashkë. Tani shpresojmë që të vazhdojmë në këtë rrugë”.

Gjatë takimit Teuta, shpërdoroi një avantazh prej 21 pikësh, por që më pas arriti të rikuperonte sërish. Për Lazimin ruajtja e qetësisë nga skuadra e tij ishte vendimtare: “Tirana e nisi ndeshjen ngadalë, por megjithatë u kthye në lojë, pasi bëhet fjalë për një ekip me shumë cilësi. Por, ne vazhduam që të këmbëngulim dhe të bëjmë ato gjëra që dimë. Besoj se ndeshja u nda nga episodet. Të dyja ekipet treguan një dëshirë të madhe për fitore, ku pati gjithashtu shumë episode të diskutueshme nga të dy krahët karshi arbitrimit.

Pati tension, por në fund fitoi skuadra që u tregua më e qetë. Pikërisht në këtë aspekt këmbëngula në periodën e katërt dhe në shtesë, duke kërkuar qetësi nga skuadra. Ekipi reagoi mjaft mirë, fitoi qetësinë dhe prandaj erdhi edhe fitorja. Dua ta përgëzoj edhe Tiranën për lojën që zhvilloi dhe shpresoj të vazhdojmë të dhurojmë gjithmonë kështu spektakli për tifozët”, përfundoi Lazimi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"