“Teuta ekipi për tu mundur këtë vit”, Kallaku: Pika e marrë ndaj Vllaznisë ishte si fitore për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 17:53

“Teuta ekipi për tu mundur këtë vit”, Kallaku: Pika e marrë ndaj Vllaznisë ishte si fitore për ne

Sherif Kallaku dalëngadalë po arrin formën e tij më të mirë që pas rikthimit te Teuta  duke u bërë një ndër lojtarët kyç, madje trajneri Edi Martini i ka besuar dhe shiritin e kapitenit. Në një intervistë për SuperSport, Kallaku foli për rikthimin e tij te durrsakët, objektivat e këtij sezoni si dhe komentoi rivalët në Superiore.

Kallaku

Si e gjen Teutën në këtë rikthim?
Dëshira ime ishte që të rikthehesha me një sukses në Kupat e Europës, ku ndonëse u paraqitëm mirë, nuk ia dolëm të vijojmë përtej fazës eliminatore. Megjithatë fituam Superkupën dhe shpresoj që të bëjmë mirë edhe për sezonin e ri.

Sa ka ndryshuar Superiorja në një vit që ju keni luajtur në Kroaci?
E kam thënë që çdo vit Superliga ka një rritje të konsiderueshme dhe ka shumë lojtarë cilësorë që kanë bërë një hap më të madh, duke u transferuar në Europë. Superliga është në rritje dhe kampionati bëhet çdo vit e më i fortë.

Si është të jesh kapiten i Teutës?
Të mbash shiritin e Teutës, është përgjegjësi e madhe, megjithatë e kam thënë edhe në mbledhjen e parë me çunat, që ne nuk kemi një kapiten, por 24 të tillë, ndaj dhe kjo e bën skuadrën të ecë përpara.

Katër pikë në dy javë… Ju kënaqin apo mund të bënit më mirë?
Duke parë si rrodhi ndeshja në Shkodër, ku mbetëm për shumë minuta me 10 lojtarë, mendoj se ajo pikë ishte fitore për ne. Megjithatë mendoj se pa kartonin e kuq ne do ta fitonim ndeshjen, pasi po luanim më mirë se ata. Gjithsesi jemi të lumtur me atë një pikësh, që është i vlefshëm nëse marrim tre pikët ndaj Dinamos.

Shkëmbi e njeh mirë Teutën. A i druheni këtij fakti?
Kam shumë respekt për profesor Shkëmbin dhe më vjen mirë që po bën shumë mirë edhe te Dinamo. Unë kam mësuar shumë prej atij, por ashtu siç i di ai pikat tona të dobëta, i dimë edhe ne dobësitë e tij, ndaj shpresoj të fitojmë ne.

A është sezoni për të ëndërruar tripletën?
Sezonin e kaluar isha i pafat për kampionatin, pasi ika në Kroaci, por mendoj se skuadra mund t’ia kishte dalë të fitonte tripletën, po të kishte pasur më shumë fat ndaj Skënderbeut. Megjithatë këtë sezon mendoj se jemi në rrugën dhe kushtet e duhura për të fituar tripletën.

Jua lehtëson punën fakti që zbrisni në fushë si kampionë në fuqi?
Mendoj se më shumë na e vështirëson shumë punën, pasi të gjithë ekipet na vlerësojnë më shumë dhe japin maksimumin kur luajnë ndaj nesh. Vitin e kaluar ka pasur shumë polemika për titullin, që erdhi vetëm falë golavarazhit, megjithatë unë mendoj se këtë sezon Teuta është skuadra për t’u mundur, pasi e shoh vërtetë shumë të fortë.

Cila është skuadra rivale e Teutës këtë sezon?
Kemi luajtur vetëm ndaj dy kundërshtarëve, por si Partizani, ashtu edhe Vllaznia janë shumë cilësore, ndaj i shoh si rivale për këtë sezon. Ka edhe shumë skuadra të tjera si Laçi e Tirana, megjithatë pas disa javësh mund të shohim më mirë për rivalitetin.

A ke një objektiv individual për numrin e golave të shënuar?
Të premtosh gola është disi e vështirë, pasi të kap edhe ngërçi, megjithatë unë futem në fushë për të bërë më të mirën dhe ndihmuar skuadrën. Golat vijnë natyrshëm, ndaj mendoj se me rëndësi është të marrim pikët maksimale për skuadrën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"