Teuta e Shkëmbit ndryshon “look”, mesfusha gati e tjetërsuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2018 | 15:34

Teuta e Shkëmbit ndryshon “look”, mesfusha gati e tjetërsuar

Teuta do të ketë një tjetër “look” për sezonin e ri. Duhet thënë që skuadra ende nuk është kompletuar, pasi pritet të ketë afrime të rëndësishme, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm gjatë ditëve të ardhshme, por mjafton të shohësh organikën aktuale për të kuptuar se ndryshimet do të jenë të mëdha. Aktualisht, bregdetarët e drejtuar prej Shkëmbit kanë zyrtarizuar katër blerje, konkretisht Edison Ndrecën, Sherif Kallakun, Florent Avdylin dhe Roni Gashin. Ndërkohë janë në bisedime me Nuredin Orelesi.

teutaaa

Palët kanë për të diskutuar edhe disa detaje të fundit dhe gjasat janë që në ditët e ardhshme të arrihet edhe një marrëveshje. Me futbollistët që kanë në dispozicion, formacioni i Teutës për fushatën 2018-2019 do të kishte jo vetëm titullarë, por edhe alternativa të mira. E nisim me portën, ku veç Shpëtim Moçkës është edhe Elhan Kastrati. Krahu i majtë i mbrojtjes është i dubluar me Esin Hakajn dhe Edison Ndrecën, ndërsa në të djathtë Bojan Gjorgjievski. Në qendër të mbrojtës do të luajë dyshja Ante Hrkaç dhe Silvestër Shkalla, por një afrim i Orelesit do të shtonte sigurinë.

Deri në këtë moment, reparti difensiv nuk ka asnjë ndryshim, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mesfushën ku edhe largimet kanë qenë më të mëdha. Në këtë sektor janë afruar tre, por priten edhe disa të tjerë. Roni Gashi dhe Florent Avdyli pritet të luajnë më të tërhequr me Sherif Kallakun më të avancuar dhe nga krahët mund të aktivizohen Arsid Kruja dhe Lorenco Vila ose Fabjan Beqja, në mbështetje të sulmuesit të vetëm Amadu Latif.

teuta

Gjithsesi, ky formacion pritet të ketë tepër ndryshime, pasi merkato akoma nuk është mbyllur dhe drejtuesit janë në bisedime me disa futbollistë cilësorë. Zhvillime priten në majë, ndërsa klubi po insiston për të gjetur një “bomber” që të garantojë minimalisht 15 gola.

Për më tepër, kjo skemë është një ide e krijuar nga gazeta “Panorama Sport”, referuar jo vetëm atyre që janë nën kontratë, por edhe prurjeve që ka rezervuar deri më këtë fazë merkatoja. Bledi Shkëmbi kërkon të ndërtojë një skuadër kompetitive, ndaj pritet të ketë edhe 4-5 afrime. Me këtë ritëm që kanë nisur, Teuta mund të jetë surpriza më e bukur e kampionatit.

formacionet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"