Teuta bie në fund, Nexhipi shpëton “demat”. Sampaio kërcënon me stolin titullarët e vet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2014 | 12:05

Teuta bie në fund, Nexhipi shpëton “demat”. Sampaio kërcënon me stolin titullarët e vet

Teuta-Partizani 1-1, Mazrekaj ne dyluftimTEUTA-PARTIZANI  1-1
GOLAT: Xhafaj 55’, Nexhipi 93’
TEUTA: A. Osmani, Idrizaj, (Nika 88′), Jakupi, T. Osmani, Da Silva, Ahmataj, Kalu (Hoxha 64’), Dosti, Hodo, Samb, Xhafaj (Joel 73’). Trajner: I. Biturku.
PARTIZANI: Hoxha, G. Krasniqi, Rrahmani, Murati, Ibrahimi (Dushku 88’), Maliqi (Demiri 57’), Anastasijeviç, B. Krasniqi, Mazrekaj, Nexhipi, Memelli. Trajner: M. Sampaio
KARTONË TË VERDHË: Kalu 63’, Joel 87’, Nexhipi 50’
KARTON I KUQ: Samb 71’
VËZHGUES: Pajtim Aliko (Vlorë)
DELEGAT: Albano Janku (Tiranë)
GJYQTARET: K. Meta, E. Doda, G. Qirici (Tiranë)

MINUTAT
11’Samb, i gjendur vetëm 3 metra larg portës, ka mundësinë për të kaluar durrsakët në avantazh, por goditja ishte terësisht e gabuar.
40’Goditje dënimi jashtë zone për Teutën, Dosti provon por goditja e tij ndalet nga muri.
50’ Ka një ndërhyrje brenda zonës durrsake ndaj Nexhipit të Partizanit, por gjyqtari nuk akordon penallti, gjë e cila sjell acarim tek të kuqtë.
52’Idrizaj kroson për Xhafajn, por topi i goditur nga vlonjati përfundoi në shtyllë.
54′ Xhafaj i “vjedh” topin kundërshtarit, futet së bashku me të brenda zone, por ngatërrohet me Dostin në momentin e fundit.
55’Idrizaj shkëputet bukur nga krahu i djathtë dhe pasi futet në zonë, në fundore e kthen për Xhafaj, i cili nuk fal dhe 1-0.
64’Mazrekaj lëshon një silurë nga jashtë zone, por “gardiani” durrsak grushton duke larguar rrezikuan.
66’Samb shkëputet bukur nga e djathta, futet së bashku me topin në zonë, por gabon rëndë në momentin e pasimit.
93’Partizani në frymën e fundit. Topi i larguar fillimisht nga mbrojtja e Teutës dhe një lojtar i kuq përfundon te Nexhipi që godet fluturimthi dhe shënon, 1-1.

Teuta dhe Partizani kanë ndarë nga një pikë secila në një përballje mjaft të tensionuar, të zhvilluar dje në stadiumin “Niko Dovana”. Loja nisi dhe përfundoi me ofendime të ndërsjella mes tifozërive, të cilët shpeshherë ua adresonin të sharat gjyqtarëve të ndeshjes. Këta të fundit u bënë protagonistë dhe u përfshinë në disa episode. E pafalshme ishte indiferenca e arbitrave, që në pjesën e parë nuk morën asnjë masë për të ndalur koret ofenduese. Të besuarit e trajnerit Biturku zhvilluan një lojë të mirë kundrejt Partizanit, duke e dominuar kundërshtarin thuajse përgjatë gjithë lojës. Durrsakët, për më shumë se 19 minuta kanë luajtur me një lojtar më pak, pasi kryesori Meta në minutën e 71 akordon menjëherë kartonin e kuq për Samb, i cili ndërhyn ashpër ndaj një kundërshtari. Golat u shënuan nga Xhafaj dhe Nexhipi.
Pjesa e parë Skuadrat e nisin takimin në mënyrë të kujdesshme, duke menduar më shumë për të studiuar njëra-tjetrën. Teuta që kishte zbritur me një 4- 3-1-2 të pastër, menjëherë mori në dorë frenat e lojës dhe vë diktat në “tempullin” e saj. Nga ana tjetër, skuadra e Sampaios u përpoq të frenojë sulmet e vendësve, por kishin vështirësi kur dilnin nga gjysmëfusha e tyre. Pa kaluar as 11 minuta lojë, durrsakët patën rastin e artë për të zhbllokuar sfidën dhe për të kaluar në avantazh. Por Samb, shumë pranë zonës, bën më të vështirën dhe e dërgon topin mbi traun e portës. Gjithsesi, skuadra vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe e mbajti kundërshtarin në gjysmëfushën e tij, por pa mundur që ta kërcënojë seriozisht portën e Partizanit. Trajneri Sampaio nga pankina urdhëronte që skuadra të qetësohej dhe të futej në lojën e saj. Topat e gjatë të mbrojtësve, të lëshuar në adresë të Memellit, Nexhipit dhe Mazrekaj, nuk përfundonin kurrë në drejtim të tyre, gjë që e acaronte pa masë trajnerin portugez, i cili nuk u ul për asnjë moment në stol.
Pjesa e dytë Pjesa e dytë nuk pati lidhje me 45-minutëshin e parë. Në këtë pjesë pati gjithçka, gola, kartonë, ndërprerje të ndeshjes. Sapo skuadrat dolën nga tuneli, tifozëritë lëshuan lum të sharash kundrejt kryesorit Meta, i cili për një moment mendoi të ndërpriste fare ndeshjen. Biturku e Sampaio e nisin pjesën e dytë me të njëjtat formacione. Fraksioni i dytë i lojës nisi me dominimin e vendësve, të cilët ishin në kërkim të golit të avantazhit. Në minutën e 50-të, Partizani pretendon për një penallti, pasi Nexhipi pengohet në zonë, por gjyqtari vazhdon lojën. Në të minutën e 54, Xhafaj ka një mundësi shënimi por gabon në fund. Në të 55-ën, Idrizaj shkëputet bukur nga e djathta duke lënë pas kundërshtarët e futët me topin në zonë dhe në fundore e kthen për Xhafajn, i cili nuk fal. Sulmuesi ngre në peshë të pranishmit në “Niko Dovana”, që si rrallëherë ziente nga koret e të sharave. Edhe pas golit, durrsakët përpiqen të shënojnë golin e dytë të sigurisë, por prej sulmeve të shpeshta të vendësve, ata thyheshin pa mbërritur mirë pranë zonës së Partizanit. Durrsakët mbeten me 10 vetë në minutën e 71-të, pasi Samb shkakton faull në sulm dhe gjyqtari Meta nuk e fal, duke i treguar kartonin e kuq. Afër fundit të ndeshjes, të gjithë mendonin se Teuta më në fund ia doli, edhe pse me një lojtar më pak, por nuk ishte e thënë të ndodhte kështu. Nexhipi, me një “predhë” e çon gjithçka në baraspeshë. Gjithçka mbyllet në barazim 1-1.

MË I MIRI
Mesfushori me tipare sulmuese i Partizanit, Nderim Nexhipi, ishte lojtari që shkëlqeu më shumë në takimin e djeshëm. Nexhipi shpëtoi Partizanin nga humbja në fund, por edhe gjatë gjithë ndeshjes ishte më i lëvizshmi në fushë. Shqiptari nga Maqedonia nga java në javë po fiton terren tek të kuqtë e kryeqytetit.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Partizanit me në krye Migen Memellin nuk është parë dje në fushën e “Niko Dovana”-s. Lojtari dje nuk dha asgjë nga repertori i tij dhe për këtë arsye edhe Partizani nuk kishte forcën e duhur goditëse. Edhe sulmi i Teutës çaloi shumë dje, ku Samb bëri gabime foshnjarake ndërsa Xhafaj nuk kishte freskinë e duhur.

Biturku“Teuta meritonte fitoren, gjykimi ndikoi në rezultat
Barazimi ka lënë shije shumë të hidhur në kampin durrsak, të cilët akuzojnë trupën e gjyqtarëve për arbitrim të njëanshëm. Në fund të sfidës, tekniku Biturku deklaroi se skuadra e tij ishte penalizuar rëndë nga gjykimi. “Është e disata herë që gjyqtarët nuk sillen korrekt ndaj nesh, duke na penalizuar shumë rëndë. Nuk e kuptoj pse duhej ndëshkuar me kartonin e kuq Samb, sikurse dua të di pse nuk akordoi faull në favorin tonë, kur Da Silvës iu mor topi nga tre lojtarë. Nuk jam aspak i kënaqur me gjykimin, i cili mendoj se ndikoi drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes”, u shpreh Ilir Biturku. Më tej, në prononcimin për “Panorama Sport”, trajneri Biturku i bëri një analizë sfidës, por edhe situatës që ka pushtuar tashmë klubin durrsak. “Mendoj se e meritonim fitoren. Luajtëm më mirë se kundërshtari në çdo fraksion të lojës. Krijuam raste papushim dhe arritëm të shënonim. Mirëpo, problemi ynë është se nuk nxjerrim dot golin e dytë, i cili do të na siguronte fitoren. Kundërshtari nuk na vuri në vështirësi për asnjë moment, ndërkohë që ne ishim vazhdimisht në zonën e kryeqytetasve. Që në pjesën e parë krijuam raste të pastra për shënim, por nuk u treguam të zotët të shfrytëzonim këto mundësi ‘të arta’. Gjithashtu ishim të kujdesshëm në aspektin mbrojtës, duke mos lënë shumë hapësira për kundërshtarin. Largimi me kartonin e kuq, i pamerituar për Samb, na krijoi probleme të shumta, pasi duhet të ndryshonim sërish skemë. Pastaj, minutat e fundit. Çfarë t’ju them, nga faull në favorin tonë, përfundon në gol për kundërshtarin. Rasti i golit të barazimit ishte faull në favor të Teutës, pasi Da Silva u rrethua nga tre lojtarë të Partizanit. Nuk di çfarë t’ju them, jemi shumë të mërzitur, por shpresojmë ta kalojmë këtë periudhë të vështirë”, – përfundoi trajneri Biturku.

Xhafaj“S’është hera e parë që suksesi na ikën në sekondat e fundit
Në Durrës, barazimin e kanë konsideruar si humbje. Autori i golit për Teutën, Daniel Xhafaj, u shpreh se skuadra e tij ka humbur një mundësi “të artë” për të hipotekuar trepikëshin. Në një intervistë për “Panorama Sport” Xhafaj sqaroi arsyet se pse skuadra nuk arriti të fitonte dhe se i vjen keq që goli i tij nuk u konvertua në trepikësh. “Sikurse e keni parë edhe vetë, ndeshja u barazua në sekondat e fundit. Nuk është hera e parë që na ndodh kjo gjë. Është një fakt vërtet për t’u shqetësuar, pasi humbasim gjithçka, duke i dhënë shkelmin të gjithë punës së ndërtuar gjatë 90 minutave në sekondat e fundit. Kështu ndodhi në Shkodër, ndaj Skënderbeut në shtëpi, në Krujë ku ishim fare pranë fitores, por edhe sot. Kemi lënë mjaft pikë në harkun e disa minutave. Këto janë fakte që të shqetësojnë. Jam i kënaqur që arrita të shënoja, ndonëse këtë kënaqësi e zbeh rezultati përfundimtar 1-1. Në fakt, kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe ne arritëm ta dominonim kundërshtarin. Krijuam një mori rastesh dhe gjithashtu volum të lartë loje, por na mungoi goli i sigurisë. Në lojë ishim më mirë se kundërshtari dhe, nëse doni mendimin tim, them se e meritonim më shumë fitoren se sa Partizani barazimin. Luajtëm shumë mirë, por na ndëshkoi edhe kartoni i kuq. Për më shumë se 20 minuta luajtëm me një lojtar më pak. Nuk arrita të kuptoja pse Samb u ndëshkua me karton të kuq. Gjyqtari mendoj se e teproi duke nxjerr menjëherë kartonin e kuq. Gjithashtu në rastin e golit, Da Silvës iu mor topi duke i ndërhyrë tre lojtarë. Janë dy raste, të cilat ndikuan drejtpërdrejtë në rezultatin e sfidës”, – u shpreh Daniel Xhafa.

SampaioSampaio u bën presion titullarëve
Trajnerin e Partizanit, Marcio Sampaio, e ka kënaqur barazimi i arritur me shumë mundim në sekondat e fundit, por jo loja e skuadrës së tij. Në fund të sfidës me Teutën, ai ka lëshuar kritika në drejtim të lojtarëve të tij që, sipas tij, nuk kishin dhënë atë çfarë priste në fushë. “Jam shumë i zhgënjyer nga loja e skuadrës dhe kryesisht nga lojtarë të veçantë, të cilët nuk reaguan pozitivisht ashtu siç e prisja”, – pohoi i irrituar në fundin e sfidës trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, portugezi tha se skuadra nuk ishte në ditën e saj më të mirë dhe u dominua totalisht nga kundërshtari. “Dua ta përgëzoj kundërshtarin për lojën e zhvilluar. Teuta është një skuadër shumë simpatike dhe në të njëjtën kohë mjaft e vështirë për t’u përballur me të. Na dominoi për gjatë gjithë lojës. Jam shumë i pakënaqur me lojtarët e mi, të cilët nuk reaguan në mënyrën që unë doja. Jam i zhgënjyer, kryesisht nga loja e skuadrës, e cila ishte shumë e dobët. Erdhëm në Durrës me qëllimin për ta fituar ndeshjen, por tani duhet t’i gëzohemi këtij barazimi, që erdhi vetëm në minutat e fundit të sfidës. Na duhet shumë punë për të bërë në të ardhmen. Ndaj Teutës pashë që lojtarët nuk m’u përgjigjën sipas asaj që unë kërkoj dhe praktikoj në stërvitje. Ata, që nuk kanë dëshirë për ta bërë këtë gjë, më mirë të mos luajnë. Pa dyshim që do t’i shikoj vendimet e mija rreth disa lojtarëve, të cilët do e shikojnë veten në stol që nga ndeshja pasardhëse. Dua një ekip serioz, të përkushtuar dhe të organizuar, ashtu siç jam edhe vetë në stërvitje. Nëse plotësohen këto kritere, atëherë mund të flitet për një ekip që pretendon titullin. Çështjen e titullit nuk e keni dëgjuar asnjëherë nga ana ime pasi, për ta thënë këtë, duhet një grup i organizuar, që s’e kishim në Durrës”, – u shpreh trajneri portugez i të kuqve, Marcio Sampaio, pas ndeshjes me Teutën. Ai pritet të marrë masa të shpejta, pasi nga e mërkura nis faza e tretë, ku Partizani pret në kryeqytet Bylisin. Situata duhet ndryshuar, pasi më 22 mars kanë edhe derbin me Tiranën. “Unë kam qenë gjithmonë përkrahësi i lojtarëve të ekipit, por shikoj se ata e kanë keqpërdorur këtë besim timin. Në Durrës çaluam shumë në lojë, kështu që duhet një ndërhyrje e menjëhershme dhe askush të mos e mendojë se e ka të sigurt vendin në formacion”, – përfundon trajneri i Partizanit.

Nexhipi ka shenuar ndaj TeutesNexhipi: I kënaqur që goli e shpëtoi ekipin nga humbja
Nderim Nexhipi, në sekondat e fundit të sfidës, shënoi golin e barazimit për Partizanin. Lojtari realizoi një eurogol, duke i dhënë një pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij. Shqiptari nga Maqedonia ishte lojtari më i mirë për të kuqtë e kryeqytetit dhe, falë cilësive të tij, Partizani arriti të dilte i pamundur nga “Niko Dovana”. Në një prononcim për “Panorama Sport”, lojtari u shpreh i kënaqur për golin, duke vijuar se skuadra e tij doli me një rezultat pozitiv nga një transfertë tejet e vështirë. Nexhipi e pranon se Teuta ishte më lart se skuadra e tij, kështu që Partizani duhet të ndryshojë sa më shpejt. “Jam shumë i kënaqur që arrita të shënoja një gol kaq të rëndësishëm për skuadrën. Morëm një pikë në limitet e fundit të sfidës, çka na bënë të mendojmë se kemi dalë me një rezultat pozitiv, duke marrë parasysh edhe faktin që ishim në disavantazh të një goli. Skuadra nuk ishte në ditën e saj më të mirë dhe, si pasojë, vuajtëm shumë për të dalë në lojën tonë. Kundërshtari nga ana dhe nuk na la shumë hapësira në dispozicion për të vepruar. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme, pasi janë të gjitha mjaft të rëndësishme për ecurinë e skuadrës”, – u shpreh autori i golit të barazimit për të kuqtë, Nderim Nexhipi.

S’ka pushim për të kuqtë, sot dy seanca stërvitore
Trajneri Sampaio e deklaroi pas ndeshjes se nuk do ta toleronte paraqitjen e skuadrës në Durrës. I menjëhershëm ka ardhur ndëshkimi i parë nga portugezi pasi, pas transfertës në Durrës, i ka njoftuar lojtarët se nuk ka pushim dhe të dielën do t’u nënshtrohen dy seanca stërvitore. Paradite të kuqtë do të përgatiten në ambientet e ish-Shkollës së Bashkuar. Duke ditur se të mërkurën kanë ndeshjen e parë të fazës së tretë, ku presin Bylisin, trajneri nuk i ka lënë që të marrin frymë lojtarët. Dy seanca stërvitore një ditë pas ndeshjes, pa dyshim mund të konsiderohen ndëshkim, pasi skuadra kishte kohë nuk kryente dy përgatitje brenda një dite.

Gjyqtari Meta bën gabime të shumta
Dashje pa dashje, përveç sjelljes së shëmtuar të dy tifozërive, figurë jo të mirë dje ka bërë edhe gjykimi me në krye Kridens Metën. Arbitri lejoi që ndeshja të zhvillohej nën koret ofenduese, ku në pjesën e parë i bëri veshët “shurdh”, duke mos marrë asnjë vendim. Në minutën e 50-të Kridens Meta ishte shumë pranë aksionit dhe i mohon Partizanit një penallti. Gjithashtu ndëshkon Nexhipin për protesta. Në këtë moment, rezultati i ndeshjes ishte 0-0. Në minutën e 71-të, gjyqtari Meta merr një tjetër vendim të nxituar, duke nxjerrë me karton të kuq sulmuesin e Teutës, Samb. Përpos këtyre që ishin më të dukshmet, ka pasur edhe shumë vendime jo kompetente nga gjyqtarët gjatë takimit. Padyshim gjykimi ishte një nga hallkat që çaloi dhe nga sjellja e treshes kryeqytetase përfituan tifozët, që ofenduan në kor nga fillimi deri në fund.

Ofendime në kor, përleshje mes tifozërisë dhe të plagosur
Takimi Teuta-Partizani ka pasur një problematikë të madhe, ku padyshim përplasjet mes dy tifozërive kanë eklipsuar lojën. Problemet kanë nisur para fillimit të lojës, ku përplasjet e para mes tyre dhe forcave të rendit kanë nisur jashtë stadiumit “Niko Dovana”. Disa tifozë janë shoqëruar në Komisariatin e Durrësit. Më pas, nga minuta e parë deri në të fundit, në stadium ka pasur vetëm ofendime respektive të dy tifozërive, gjithashtu edhe ndaj gjykimit. Gjatë pjesës së parë, gjyqtari i kërkoi kapitenit Jakupi të qetësonte ultrasit vendës, që u arrit pas kërkesës së kapitenit, por revoltimi dhe provokimet e miqve nuk u pushuan. Edhe në startin e pjesës së dytë, gjyqtari Kridens Meta e ndërpreu dy-tre herë ndeshjen, madje kërcënoi se do ta ndërpriste komplet atë, nëse situata nuk do të ndryshonte. Në minutën e 34-t “Supersport” ka vendosur që të ndërpresë transmetimin e takimit. Në ekran mbizotëronte e zeza dhe titrat e bardha, ku shkruhej se për arsye etike “Supersport” dhe “Digitalb” ndërpresin transmetimin e ndeshjes Teuta-Partizani. Transmetimi ka vijuar në pjesën e dytë, por nuk ishte e thënë që të sharat në kor nga ana e tifozëve të merrnin fund. Problematike ka qenë situata edhe në përfundim, ku tifozëritë janë përplasur mes tyre, ku përveç të sharave, janë hedhur edhe gurë. Gjatë kthimit, një tifoz i partizanit, rreth 16 vjeç, është qëlluar me gur nga dritarja e autobusit në kokën e adoleshentit. Më pas i plagosuri ka përfunduar në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar trajtimit mjekësor. Pra, një ndeshje e tensionuar dhe e paprecedentë për nga ofendimet që e shoqëruan nga fillimi në fund.
ILIR CARA / LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"