Teuta e mbushur me “ish” të kuq, ja si pritet ta thyej Partizanin në “Niko Dovana”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 14:51

Teuta e mbushur me “ish” të kuq, ja si pritet ta thyej Partizanin në “Niko Dovana”

Teuta pret të shtunën Partizanin për javën e 27-të të Superiores, në orën 18:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Në fazën e dytë durrsakët arritën një fitore të madhe në kryeqytet (0-2), duke bërë një kthesë të jashtëzakonshme pas ecurisë jo të mirë në fillimin e kampionatit.bdsTashmë skuadra e Edi Martinit pret të kuqtë si kryesues dhe në një moment delikat të sezonit për fatet e të dyja skuadrave. Ajo që bie më shumë në sy te “djemtë e detit” është fakti që në përbërje kanë disa lojtarë që kanë bërë karrierë me fanellën e kuqe. Gjithçka nis me kapitenin aktual të ekipit, Emiljano Vila, për të vazhduar me mbrojtësin e djathtë, Albion Marku, i cili shënoi një supergol në ndeshjen e kaluar ndaj “demave”. Lista vijon me Erando Karabecin, i cili është një prodhim i Partizanit dhe ka luajtur në fillimet e karrierës në Superiore me të kuqtë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbrojtësin e majtë, Blerim Kotobelli dhe fantazistin Sherif Kallaku, të cilët kanë pasur eksperienca të shkurtra me “demat”. Kjo e bën ndeshjen e së shtunës edhe më interesante, me të besuarit e Martinit që kanë treguar se dinë si të mposhtin Partizanin. “Djemtë e detit” do të bëjnë të pamundurën për të mos zhgënjyer, aq më tepër që do të luajnë në Durrës. Në fazën e parë Partizani mori një triumf të thellë në “Niko Dovana”, por nga ajo ndeshje dhe deri më tani kanë ndryshuar shumë gjëra, veçanërisht në skuadrën bregdetare.

PËRGATITJET – Barazimi ndaj Egnatias në javën e kaluar është konsideruar rezultat pozitiv, për vetë faktin se rrogozhinasit janë skuadër e fortë dhe me pretendime madhore këtë sezon. Dje pasdite durrsakët zbritën në fushë për të vazhduar përgatitjet anti-Partizani. Seanca nisi me përgatitësin atletik, Mark Dodaj dhe zv.trajnerin Bledar Hodo, që vazhduan punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Më pas vijoi puna me topin dhe ana taktike nën udhëheqjen e Edi Martinit. Harmonia në ekip shihet si një faktor kyç për një ecuri pozitive dhe të gjithë lojtarët janë të motivuar, duke shpresuar ta vijojnë me rezultate të mira dhe ta kalojnë këtë pengesë. Atmosfera në grup është pozitive, ndaj të gjithë kanë besim se do t’ia dalin, duke filluar nga takimi i radhës. Drejtuesit e klubit duan me patjetër Europën këtë sezon, pavarësisht nisjes jo të mirë të kampionatit, prandaj dhe skuadrës i është kërkuar të bëjë një sforco që këtë objektiv ta kapin, në një kohë që rruga më e shkurtër duket përmes Kupës së Shqipërisë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"