Teuta “e dënuar” për pikë, Avdyli: E befasojmë Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 11:45

Teuta “e dënuar” për pikë, Avdyli: E befasojmë Kukësin

Florent Avdyli beson te kthesa e Teutës ndaj Kukësit. Mesfushori kosovar nuk e fsheh se skuadra do të bëjë gjithçka për të kapur tri vendet e para. Ai e cilëson Kukësin një ekip mjaft cilësor, por është i bindur se Teuta i ka mundësitë për të marrë tri pikët. Durrsakët duan me çdo kusht pjesëmarrjen në Europë, prandaj dhe në bisedën për “Panorama Sport”, Avdyli bën të ditur se ekipi do të bëjë gjithçka që të arrijë këtë objektiv madhor për sezonin 2019- 2020.

florent avdyli

Florent, çfarë nuk shkoi ndaj Skënderbeut, ku edhe pse shënuat dy gola, sërish dolët pa pikë…? 

Ndaj Skënderbeut mendoj se kemi bërë mirë në fushën e lojës, por futbolli i tillë është. Nuk kemi marrë atë që kemi prodhuar. Në Korçë dolëm shumë herë para portës, por nuk i konkretizuam të gjitha rastet. Po të shënonim, do kishim tjetër histori.

Tashmë prisni Kukësin në Durrës, nga ku vështirësia bëhet edhe më e madhe. Çfarë prisni nga ky takim?

Kukësi është ekip shumë i fortë. Ka lojtarë cilësorë dhe organikë shumë të mirë. Mund të jetë edhe si një test për ne, për të parë forcën që kemi. Do ta përgatisim ndeshjen për ta fituar. Pikët janë në lojë dhe ne do të kërkojmë të arrijmë Europën. Do të bëjmë gjithçka për të marrë rezultate pozitive, sepse jemi në lojë për synimet.

avdyli-florent

Do ju kënaqte edhe një pikë ndaj skuadrës që mban vendin e dytë?

Objektivi është i njëjti, duhet të japim gjithçka kemi në 90 minuta dhe pas ndeshjes të dalim me kokën lart. Detyrim nuk është fitorja, por të japim më të mirën brenda fushe. Tashmë skuadra është e plotë dhe do luajmë vetëm për një objektiv, fitoren. Të gjithë duhet të tregojmë atë çfarë kemi punuar deri tani. Ka ardhur momenti për të treguar fytyrën tonë të vërtetë në një ndeshje kaq decizive si kjo ndaj Kukësit. Janë edhe 14 finale ku duhet të marrim maksimumin në çdo sfidë, pasi futbolli ka të papritura. Kërkohet përqendrim maksimal deri sa të arrijmë objektivin që kemi.

Ju shqetëson fakti që përballë keni një prej sulmeve më të mira të kampionatit?

Normalisht që po. Ne preokupohemi për çdo ekip, jo vetëm për Kukësin, pasi i analizojmë kundërshtarët. E dimë që ata kanë shënuar më shumë dhe kanë pësuar gjithashtu. Unë shpresoj që ne ta shfrytëzojmë në maksimum linjën e tyre defensive, duke arritur të shënojmë.

Deri ku mund të shkojë kjo Teutë?

Duam të shkojmë në Kupat e Europës. Klubi këtë objektiv ka vendosur. Luftojmë për tri vendet e para, pasi janë edhe 14 ndeshje për t’u luajtur. Megjithatë, duhet t’i marrim një e nga një.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"