Teuta e dënuar për kthesën ndaj Skënderbeut, ja situata në kampin durrsak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2021 | 16:24

Teuta e dënuar për kthesën ndaj Skënderbeut, ja situata në kampin durrsak

Pas humbjes ndaj Laçit, Teuta kishte kohën e duhur për të pushuar. Stafi kishte vendosur 48 orë pushim dhe “djemtë e detit” kanë rifilluar të mërkurën nga puna. Me një seancë që u zhvillua pasdite ka startuar zyrtarisht edhe java anti-Skënderbeu.

teuta

RIKTHEHEN EMILIANO VILA DHE DAJA

Ndaj korçarëve, Teuta do të këtë rikthime dhe mungesa. Kështu, në qendër të mesfushës do të kthehen Asion Daja dhe Emiliano Vila, të cilët me shumë mundësi së bashku do të marrin minutat e duhura në sfidën ndaj Korabit, për Kupën e Shqipërisë e më pas të jenë gati për duelin e rëndësishëm ndaj Skënderbeut. Selmani, Xhekson, Aleksi dhe Akua do të jenë mungesat e sigurta pasi kanë plotësuar numrin (4) të kartonëve të verdhë, ndërsa Xhekson u ndëshkua me karton të kuq ndaj Laçit.

FORMACIONI, MARTINI ME IDE TË QARTA

Trajneri dje ka zgjedhur edhe një herë të punojë taktikisht me ekipin duke e vendosur në fushë në kushte loje, por duke i ushtruar më shumë presion qarkullimit të topit në distanca të ngushta dhe situatave të kundërsulmit qoftë aktiv edhe pasiv. Edi Martini konfirmon ndryshimet në formacionin anti-Skënderbeu. Edhe pse trajneri i Teutës është munduar që të fshehë skuadrën që do të luajë në javën e 9-të e Superiores, duke përzier lojtarët, gjërat janë kuptuar. Prapavija duhet të zgjidhet, pasi mungon Selmani, por edhe Aleksi që është sajuar në qendër. Xhekson pritet të zëvendësohet nga Kotobelli. Jo pak probleme paraqet dhe mesfusha, por alternativat janë prezentë. Gjithsesi, deri në rifillimin e kampionatit këto ndryshime do jenë te Teuta.

STADIUMI HAPET NË MES TË DHJETORIT

Në Durrës kanë nisur prej javësh punimet dhe më konkretisht vendosja e barit në fushë. Tapeti i barit kishte kohë që kishte dalë thuajse jashtë funksionit dhe ishte bërë i papërshtatshëm për të luajtur futboll normal apo për të qarkulluar topin, ndaj edhe drejtuesit e klubit durrsak kanë menduar duke përfituar edhe nga kalendari që të bëjnë ndërhyrje në tapetin e barit. Skuadra durrsake, me shumë gjasa, mund të rikthehet dhe të luajë në “Niko Dovana” ndoshta në mes të muaj dhjetor, por ende nuk ka një datë fikse, pasi tashmë është duke u hedhur dhe rëra e fundit para vendosjes se barit të ri.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"