Teuta drejt Italisë për fazën përgatitore, pret edhe “bomberin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2018 | 19:36

Teuta drejt Italisë për fazën përgatitore, pret edhe “bomberin”

Merkato është prioriteti kryesor i drejtuesve të Teutës, megjithatë vëmendje të madhe po merr edhe faza përgatitore. Në klub po studiojnë pistat ku do të zhvillohet faza përgatitore dhe miqësoret që ekipi do të zhvillojë për t’u kolauduar. Edhe në këtë edicion duket se bregdetarët do t’i “ngrohin” motorët në Itali, aty ku ishin një vit më parë për t’u përgatitur për sezonin e ri sportiv.

teuta

Burime pranë klubit bëjnë me dije, se Bledi Shkëmbi preferon këtë destinacion dhe drejtuesit janë gati t’i plotësojnë kërkesën trajnerit korçar. Në fillim, opsione ishin vetëm Sllovenia dhe Bullgaria, megjithatë duke parë kushtet ku ekipi u stërvit një vit më parë dhe kundërshtarët dinjitoz që mundi të zhvillonte miqësore, duket se ka mjaftuar për t’u mbushur mendjen drejtuesve për këtë pistë. Gjithsesi, akoma nuk është dhënë “OK”-i përfundimtar.

“Djemtë e detit” pritet të zbresin në fushë në datën 5 korrik në Durrës, ku për 10 ditë do të stërviten në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”. Më pas, në datën 16 korrik do të nisen me shumë mundësi drejt Italisë (mbetet për t’u konfirmuar zyrtarisht) për të zhvilluar fazën përgatitore. Sa i përket merkatos, drejtuesit janë në bisedime me disa lojtarë, duke filluar nga reparti i mbrojtjes për të vazhduar me sulmin, ku kërkohet një “bomber”, që garanton mbi 15 gola në sezon.

shkembi

Sulmi është edhe një nga repartet që pritet të ketë më tepër ndryshime, pasi në këtë moment Latif Amadu është alternativa e vetme. Ndërkohë, mbrojtësit Dajan Shehi, që në pjesën e dytë të sezonit u aktivizua te Hajduku i Splitit i ka përfunduar huazimi dhe për të ardhmen e tij pritet të vendosë stafi teknik. Qendërmbrojtësi që së fundi u ftua edhe nga Kombëtarja U21, është një lojtar i perspektivës dhe bregdetarët nuk duan të nxitohen.

Drilon Xhepollari  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"