“Teuta do të bëjë gjëra të mëdha”, Emiliano Vila “injoron” Tiranën: Do të rivalizojmë me Partizanin dhe Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2019 | 21:03

“Teuta do të bëjë gjëra të mëdha”, Emiliano Vila “injoron” Tiranën: Do të rivalizojmë me Partizanin dhe Kukësin

Mesfushori Emiliano Vila beson te Teuta për sezonin e ri. Ai thekson se “djemtë e detit” nuk janë një skuadër që bën premtime të mëdha, por në fund realizon synimet e vendosura. Ajo që ndodhi edicionin e fundit do të tentohet që të përsëritet dhe këtë vit.

emiljano vila teuta

Në intervistën për “Panorama Sport”, Vila flet edhe për rivalitetin në skuadër, ku rastësia e vendos përballë djalit të xhaxhait, Lorenco Vila. Në prag të përballjes me Vllazninë, ai deklaron se skuadra është gati dhe me përqendrim maksimal për të tentuar maksimumin.

Vila, dy fitore dhe një barazim në tri javët e para. A jeni i kënaqur me këtë ecuri të deritanishme?

Jam i kënaqur me ecurinë për kohën e shkurtër që kishim, por edhe ndryshimet e fundit para kampionatit. Në të gjitha ndeshjet që kemi zhvilluar, kemi qenë ne skuadra dominante në fushë. Kjo më shton gëzimin.

Sa i ka shërbyer skuadrës ky pushim pas vetëm 3 javësh kampionat?

Pushimi ishte në momentin e duhur, sepse kalendari ishte rraskapitës. Pas këtij pushimi, që e kishim të nevojshëm, mendoj se duhet të kapim ritmin e tri javëve të para të kampionatit, kur kemi qenë mirë, qoftë në performancë, qoftë në realizim. Të shtunën na duhet përqendrim, sepse Vllaznia ka treguar se ndaj ekipeve të forta di të bëjë mirë. Pra, edhe ndaj kuqebluve është ndeshje njësoj si kundër rivalëve, Partizani apo Kukësi. Në fund të fundit, çdo fitore vlen tri pikë.

Si është gjendja në skuadër një ditë para ndeshjes me Vllazninë?

Sigurisht që jemi të qetë, pasi kemi marrë 7 pikë dhe në seancat stërvitore djemtë po e përgatisin më të qetë. Nuk është se ka pasur shumë ndikim edhe në ndeshjet paraardhëse. Gjithsesi, gjendja ka qenë shumë optimale përpara një ndeshjeje kampionati.

Në radhë është Vllaznia, me të cilën jeni ndeshur më parë në miqësore. Sa të rrezikshëm i prisni?

E kemi ndjekur ndeshjen e tyre të fundit me Tiranën dhe mund të them që kanë ekip të fortë. Duhet angazhim nga të gjithë për këtë përballje, pasi nuk ka ndeshje të lehta apo të vështira në fillimin e kampionatit.

Duhet që skuadra të japë 200%, pasi vetëm 100% nuk mjafton. E them këtë, duke qenë se të gjitha ekipet në start duan maksimumin e pikëve. Ndaj, ne do të futemi në fushë për të marrë pikët maksimale, siç do të synojmë në çdo përballje. Por, duke ditur që këto pikë merren në fushë, aty na takon që t’ia dalim dhe do të bëjmë më të mirën tonë.

Emiliano, si e shihni rivalitetin në ekip, ku për më tepër në rolin tuaj është edhe një Vila tjetër, Lorenco?

(Qesh…) Lorenco është në rrugën e duhur për të ecur përpara. Rivaliteti di të them se i bën mirë të gjithë ekipit. Pastaj, është trajneri ai që vendos se cili do të jetë titullar, në bazë të performancës në stërvitje apo dhe ndeshje pas ndeshjeje. Unë, por edhe Lorenco nuk e shohim njëri-tjetrin si rivalë, por si shokë skuadre, ku në fushë luan ai që është më në formë. Grupi dhe harmonia në ekip do të jetë arma jonë më e fortë në këtë drejtim.

Ecuria e mirë dhe vendi i tretë në renditje, a i shihni si rrugën e duhur për skuadrën?

Ne po rritemi dhe jemi në gjendje të mirë tani. Lojtarët po fitojnë vetëbesim nga dita në ditë, ndaj mendoj se jemi në rrugën e duhur për të realizuar objektivat që ka skuadra e Teutës për këtë edicion. Do të synojmë vetëm tri pikët në çdo ndeshje dhe rritjen e distancës nga rivalët në klasifikim.

Cili është objektivi i Teutës dhe a e shihni titullin kampion si të arritshëm?

Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Do të bëjmë gjëra të mëdha. Teuta dhe këta djem kanë shumë për të treguar. Në këtë moment është e vështirë të thuhet se do të rivalizojmë për titull, pasi ne do t’i bëjmë llogaritë në fund të sezonit. Aktualisht, ne po bëjmë punën tonë, duke i marrë ndeshjet një e nga një. Shpresojmë që kjo lojë të na shpërblehet në vijim, përgjatë gjithë kampionatit.

ZAMIR QYPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"