Teuta do Rrahmanin e Prognin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2014 | 12:24

Teuta do Rrahmanin e Prognin

Kukesi-Trabzonspor 0-2, Progni ne dyluftim ajrorTeuta pritet të jetë shumë aktive gjatë merkatos së janarit. Së fundmi në skenë ka dalë emri i mbrojtësit kosovar të Partizanit, Amir Rrahmani, si dhe e mesfushorit të Kukësit, Gerhard Progni. Interesimi për dy lojtarët konfirmohet edhe nga zëvendëspresidenti i Teutës, Roberto Nava. Ky i fundit është në kontakt të vazhdueshëm me tifozët durrsakë, madje njofton ata në rrjetin social “Facebook” për çdo të re lidhur me merkaton. Nava ka deklaruar se po punohet për afrimin e këtyre dy lojtarëve nga kampionati shqiptar. Megjithatë, si Rrahmani dhe Progni janë nën kontratë me klubet e tyre dhe nuk ka garanci për marrëveshjet.
Torres Nga ana tjetër, klubi durrsak po shikon mundësinë edhe për afrimin e sulmuesit spanjoll, Manu Torres, i cili është pjesë e skuadrës Getafe B. Ai ka lindur në vitin 1989 dhe ka një eksperiencë jo të vogël në Spanjë. Sulmuesi e ka nisur karrierën e tij te skuadra “Malaga B” në vitin 2006, ndërsa tri vite më vonë do të ishte pjesë e skuadrës së parë, Malaga, me të cilën u aktivizua 24 herë dhe shënoi 1 gol. Më pas, ai ka qenë pjesë e skuadrës Cartagena dhe aktualisht aktivizohet te Getafe B. Me shumë gjasa lojtari do të zbarkojë në Durrës ditët në vijim, ose mund t’i bashkohet skuadrës në Turqi. Së bashku me sulmuesin pritet që ditët në vijim të zbarkojnë në Durrës edhe të tjerë lojtarë të huaj, të cilët do të provohen nga trajneri italian Roberto Sorrentino. Mirëpo, gjithçka do të zbulohet ditët në vijim, teksa drejtuesit e klubit nuk kanë dëshiruar të nxitohen në deklaratat e tyre sa u përket afrimeve. Gjithsesi, ata kanë pranuar se janë në bisedime me disa klube dhe lojtarë për të sjellë te Teuta elemente cilësore.
Situata Teuta do të startojë sot përgatitjet për fazën e dytë dhe të tretë të kampionatit, ndërkohë që e gjithë vëmendja është përqendruar te lëvizjet e merkatos dimërore. Këto ditë pritet të mbërrijnë në qytetin bregdetar për të provuar në skuadër disa futbollistë të huaj, përpos pesë afrimeve të zyrtarizuara tashmë. Kampi durrsak ka firuar nga largimet e disa lojtarëve dhe shikohet e domosdoshme zëvendësimi i tyre me futbollistë të rinj. Mendohet që skuadra të formohet përpara datës 12 janar, kur ekipi do të udhëtojë drejt Turqisë për të zhvilluar fazën përgatitore. Mësohet se drejt vendit fqinj do të udhëtojnë vetëm lojtarët që do jenë në projektin e së ardhmes, ndaj drejtuesit e klubit durrsak do të veprojnë me shpejtësi për të ndërtuar skuadrën. Krerët e klubit të Teutës kanë bërë të ditur se do të punohet me intensitet të lartë gjatë këtyre ditëve, me qëllim formimin e një skuadre të denjë për vazhdimësinë e sezonit futbollistik.

Osmani, zviceranët e bëjnë fakt të kryer
Mediat zvicerane e bëjnë fakt të kryer transferimin e Tefik Osmanit te Lugano, edhe pse drejtuesit e klubit të Teutës nuk konfirmojnë asgjë. Sipas uebsajtit “teleticino.ch”, drejtuesit e Luganos janë të detyruar të bëjnë një sakrificë financiare për shërbimet e Osmanit, pasi në dispozicion kanë vetëm një qendërmbrojtës. “Lojtari shqiptar i ka bindur të gjithë dhe eksperienca e tij shikohet si shumë e rëndësishme për ta ndihmuar Luganon në mbrojtje. Alternativat janë me pikatore dhe ardhja e Osmanit kompleton këtë repart. Firma është çështje orësh”, – citohej ndër të tjera për mbrojtësin korçar të Teutës. Ndërkohë, presidenti Hasanbelliu ka thënë se klubet janë ende në bisedime.

Vjen Badalli nga Lugano: Ja pse zgjodha Teutën
Portieri me origjinë shqiptare, Pajtim Badalli, i cili në pjesën e parë të këtij sezoni ishte te Lugano në Zvicër, do të mbërrijë sot në Durrës për të nisur stërvitjen me Teutën. Lajmin e ka konfirmuar për mediat helvete vetë portieri. “Është një eksperiencë që nuk u mendova dy herë për ta provuar. Nuk kam pasur ndonjë ofertë tjetër dhe transferimin te Teuta e shikoj si fillim të ri. Më vjen keq që u largova nga Lugano, pasi këtu kam edhe familjen e të dashurën time, por kjo është puna e futbollistit. Do të shkoj në Shqipëri për të bërë më të mirën time”, – deklaroi portieri 22-vjeçar për “teleticino.ch”. Në të kaluarën Badalli ka qenë pjesë e Kiasos, ndërsa nga viti 2011 luan për Luganon në Ligën e Dytë zvicerane. Më së shumti ka qenë portier rezervë dhe nisur nga hapësirat e pakta, i riu vendosi të ndryshojë ekip.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"