Teuta do fitoren e radhës, Arapi me formacionin ideal kundër Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 14:17

Teuta do fitoren e radhës, Arapi me formacionin ideal kundër Laçit

Teuta kërkon një tjetër fitore sot në orën 17:00 ndaj Laçit në stadiumin “Niko Dovana”, për të mbajtur gjallë shpresën e vendit të katërt, që mund t’i jepte në fund Europën.

Teuta-Egnatia festa

Edhe pse duket një mision thuajse i pamundur, pasi nuk është gjithçka në dorën e durrsakëve, të besuarit e Renato Arapit duan të bëjnë detyrën deri në fund.

Skuadra ka mbyllur dje përgatitjet në aneksin e stadiumit, teksa me përjashtim të serbit Filip Ivanoviç, i gjithë grupi ka qenë në dispozicion të trajnerit.

Për mbrojtësin do të vendoset pak orë para ndeshjes nëse do të grumbullohet, sepse nuk e ka marrë ende veten pas përplasjes që pati në pjesën e fytyrës në ndeshjen ndaj Kastriotit.

I gatshëm do të jetë edhe mesfushori Asion Daja, i cili ka hedhur pas krahëve dëmtimin dhe mund të marrë minuta ndaj Laçit. Ndërkohë, nuk përbën më lajm fakti që mungon braziliani Xhekson Ferreira, i cili u bë gati gjashtë muaj jashtë pas dëmtimit kronik që ka pasur në gju.

Ndërkohë, Arapi ka provuar formacionin që do të sfidojë kurbinasit, duke i besuar atij që luajti në ndeshjen e fundit. Në portë do të jetë Qirko, ndërsa në mbrojtjen me katër, Idrizaj dhe Kotobelli do të luajnë nga krahët.

Në qendër Qaqi dhe Jazxhi do të formojnë dyshen. Sa i përket mesfushës me tre lojtarë, do të rreshtohen Aleksi, Beqja dhe Emiljano Vila.

Në sulm të konfirmuar janë Daci dhe Hebaj, ndërsa Lorenco Vila dhe Peposhi janë në balotazh për një vend.

Kreu i pankinës pret që lojtarët të zbatojnë me përpikëri detyrat që u ka dhënë dhe mbi të gjitha të jenë të disiplinuar në fushë.

Arapi beson shumë se me dy fitore të tjera, Teuta mund të kapë pse jo edhe vendin e katërt.

Gjashtë ndeshjet e fundit, ku skuadra nuk njeh humbje, e kanë ngrohur jo pak stafin, ndërsa është shtuar besimi në grup për të vijuar ecurinë pozitive.

Gjithsesi, keqardhja më e madhe në kampin durrsak është fakti që vendi i katërt varet edhe nga gabimet e rivalëve.

teu

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"