Teuta do 3 pikët me Vllazninë, mbrojtja “trazon” Shkëmbin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 15:51

Teuta do 3 pikët me Vllazninë, mbrojtja “trazon” Shkëmbin

Tradita e futbollit do të vendoset në skenë këtë të premte në orën 17:45 në Durrës, aty ku përballë në “Niko Dovana” do të jenë Teuta dhe Vllaznia, takim i vlefshëm për javën e gjashtë të Superiores. Për bregdetarët, kjo shikohet si sfida e duhur për një rezultat pozitiv, kjo edhe për faktin se luajnë në shtëpi. Për këtë takim, trajneri Bledi Shkëmbi pritet të ketë të gatshëm një lojtar kyç në mbrojtje si Jazxhi, që ngroh disi ambientin në Durrës, ndërsa Teuta ka vijuar dje seancën stërvitore të radhës për ndeshjen me shkodranët.

TEUTA

PËRGATITJET — Në Durrës ende nuk e kanë provuar shijen e fitores në këto pesë javë në kampionat, ndaj edhe do të synojnë që të sigurojnë tri pikët e para sezonale. Gjatë javës së fundit, trajneri Bledi Shkëmbi ka pasur mungesa lojtarësh. Artan Jazxhi nuk ka qenë nën urdhrat e korçarit për shkak se ishte i dëmtuar. Por, mbrojtësi është bashkuar me skuadrën ditën e djeshme dhe mund të jetë i gatshëm ndaj Vllaznisë.

Nga ana tjetër, Harrallamb Qaqi vijon terapinë intensive pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen e Kupës ndaj Luzit dhe nuk dihet nëse mund të jetë gati për të premten. Ndërsa për sulmuesin Ildi Gruda do të pritet deri sot, me stafin që do të shohë gjendjen e tij dhe do të vendosë nëse do ta grumbullojë apo jo.

KTHESA – Pretendimet në Durrës janë të mëdha dhe në kampionat vlen vazhdimësia, me pikët që mbeten njësoj ndaj çdo kundërshtari. Skuadra vjen në një moment jo të mirë, ku ndaj Tiranës pësoi një humbje të thellë, 4-0. Ndërkohë, ndaj Vllaznisë në katër sfidat e fundit në përballjet direkte, durrsakët nuk njohin fitore, teksa tri sfida janë mbyllur në barazim 1-1, ndërsa në një rast shkodranët kanë triumfuar 4-2.

Suksesi i fundit i Teutës me Vllazninë mban aromë trofeu dhe daton më 28 gusht të vitit të kaluar, me durrsakët që fitonin 3-0 në finalen e Superkupës. Ndërsa fitorja e fundit në kampionat ndaj Vllaznisë, i përket 3 marsit të 2021-shit në Durrës, ndeshje e mbyllur 1-0, e vendosur nga një gol i Bregut.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"