Teuta, Bledi Shkëmbi sheh larg. Durrsakët me pritshmëri të mëdha nga Kupa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 13:23

Teuta, Bledi Shkëmbi sheh larg. Durrsakët me pritshmëri të mëdha nga Kupa

Trajneri Bledi Shkëmbi nuk e ul ritmin e stërvitjes për të besuarit e tij, pasi Teuta tani hyn në shinat e një sezoni të gjatë, që rinis pikërisht sot nga Kupa. Seanca stërvitore e radhës u përqendrua në kontrollin e topit dhe qarkullimet e shumta në zona të ngushta.

shkembi

Ekipi zhvilloi edhe një test paraprak me futbollistët, të cilët presin ta nisin si titullarë ndaj Turbinës. Durrsakët kanë në gjirin e tyre lojtarë shumë premtues, por mbi të gjitha një teknik, i cili i “falet” lojës së bukur dhe të shpejtë. Skuadra tani ka një identitet të ri dhe mentalitet krejt ndryshe nga ai i një sezoni më parë. Ajo që i jep më shumë besim teknikut, por edhe stafit drejtues, është se afrimet e merkatos janë përshtatur mjaft mirë në një periudhë kohore shumë të shkurtër, duke sjellë edhe rezultat e para në kampionat.

Teuta është gati për takimin ndaj Turbinës dhe e shikon këtë kompeticion si një mundësi të mirë për të shkuar sa më larg. Në rast kualifikimi, durrsakët do të luajnë me fituesin e çiftit Shënkolli-Lushnja, kundërshtarë në letër të kalueshëm nga “djemtë e detit”. Mundësitë janë reale që ekipi të pretendojë Europën nga Kupa, prandaj dhe stafi teknik e ka marrë me shumë seriozitet duke filluar nga turi i parë. Me interes të madh pritet të shihen edhe blerjet e tjera të durrsakëve, të cilët deri në këto moment nuk kanë pasur hapësirën e duhur. Një prej tyre është Roni Gashi, por edhe fantazisti Sherif Kallaku.

Amarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"