“Teuta bindi, tani të mundin edhe Kukësin”, Hodo: Ja pse mungojnë golat në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 23:30

“Teuta bindi, tani të mundin edhe Kukësin”, Hodo: Ja pse mungojnë golat në kampionat

Durrësi dhe Teuta kaluan një peri udhë të vështirë për disa ditë me radhë, por ndaj Skënderbeut ekipi u rikthye te rezultatet e mira. Pikë që e bëjnë të mendojë edhe për trofe.

Hodo

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i bluve, Bledar Hodo, flet për tërheqjen e tij nga futbolli dhe punën si trajner. Në komentin e tij për ekipin aktual të Teutës, ai shprehet se beson që ka mundësi të bëjë mirë këtë sezon.

Bledar, a ishte e vështirë t’i thoshit “mjaft” futbollit? 

Të “varësh këpucët në gozhdë” është gjëja më e vështirë në botë për një lojtar. Por, unë kam qenë gjithmonë me fat, sepse porsa mbylla karrierën me futbollin e luajtur, shkova menjëherë në akademinë Teuta dhe më pas nisa të stërvit. Nuk pata kohë të mendohem. Por, unë daljen nga skena e kisha programuar dhe kontratën e fundit e firmosa si lojtar dhe trajner.

Atëherë si do të ishte prezantimi i “mister” Hodos, cila është filozofia juaj e futbollit?

(Qesh…) Ofensive! Pa dyshim sulmuese. Një skuadër e ngjeshur që imponon lojën e saj, ushtron presing në zonën kundërshtare, lëviz në harmoni me dhe pa top, derisa çdo lojtar të ketë gjithmonë tri-katër zgjidhje e disa shokë pranë gati për ta ndihmuar. E vështira në futboll shpesh është të bësh veprimet e thjeshta: kontrollin, pasimin dhe çmarkimin.

Dacia-Teuta 2-0, Hodo dhe Hyshmeri ne aksion

 Çfarë përshtypjeje ju la Teuta ndaj Skënderbeut?

Mendoj se arriti një fitore të merituar. Ishin tri pikë shumë të rëndësishme. Pas asaj tragjedie që kaloi qyteti, këto tri pikë ishin dhurata më e bukur. Për më tepër mundi një Skënderbe, që për nga shkalla e vështirësisë, ishte kundërshtar që mund t’i prishte punë. Personalisht më pëlqeu loja dhe, mbi të gjitha, disa lëvizje që kishte bërë trajneri Shkëmbi. Ishte një Teutë bindëse, e cila e kërkoi fitoren në çdo moment.

Fundjava rezervon një duel Kukësi-Teuta. Si e parashikoni?

Normale që është një ndeshje shumë e fortë, si të gjitha ndeshjet e tjera. Kukësi ka bërë mirë në javët e fundit, por Teuta duhet të shkojë dhe ta fitojë ndeshjen. Unë shpresoj të bëjë një futboll të mirë dhe të marrë tri pikët. Duhet të kenë edhe pak fat, pasi është pjesë e futbollit.

Janë luajtur 14 javë të Superiores. Çfarë dukurie do të veçonit në përgjithësi për ndeshjet e zhvilluara?

Në përgjithësi mendoj se te pjesa më e madhe e skuadrave mungon finalizimi në portën kundërshtare. Nuk kemi shumë gola, sepse në fazën sulmuese ka varfëri dhe nuk ka fantazi për të mbërritur deri te realizimi. Loja e skuadrave në fazën sulmuese bëhet e lexueshme dhe pa shpejtësi veprimesh, pra mungon finalizimi nga lojtarët golashënues. Element që e dobëson garën.

Kë shihni pretendent për titull? 

Jo vetëm nga renditja aktuale, por edhe nga lojërat që kanë në përbërjet e tyre, për titullin kampion duket se do të rivalizojnë deri në fund tri ose katër skuadra. Nuk po ndalem në emra konkretë. Distanca nuk është e madhe e përderisa nuk kemi shkëputje, do të ketë më shumë rivalitet, sidomos në fazën e tretë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"