Teuta “acaron” Maganin, trajneri i Besës e ka me të tijtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2020 | 23:11

Teuta “acaron” Maganin, trajneri i Besës e ka me të tijtë

Besa është shkërmoqur të shtunën në miqësore, teksa ka humbur thellë ndaj Teutës, 4-0. Ishte miqësorja e parë për kavajasit, por trajneri Gugash Magani nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij ndaj disa lojtarëve, të cilët, sipas tij, nuk kanë disiplinë taktike.

gugash magani

“Të humbësh me Teutën, për mua një ndër pretendentet për titull, është diçka normale. Mjafton të krahasosh grupin e Teutës dhe diferencat me ne duken qartë, por dua të theksoj se emri, tradita dhe shkolla e Besës duhet të prodhojë tjetër lojë. Një ndër arsyet e humbjes sonë lidhet me faktin se disa futbollistë nuk kanë disiplinë taktike në fushë. E prisja një humbje, por jo në ato shifra, jo me atë lojë të ndonjë futbollisti, që ia lehtësoi punën Teutës. Vërtet ishte miqësore, por nuk duhen bërë ato gabime.

Disiplina taktike është një faktor kryesor në futboll. Mjafton një moment, kur një futbollist nuk ndodhet aty ku ka detyrën dhe kundërshtari të ndëshkon”, thekson trajneri Magani, i cili nuk përmend emra të përveçëm, duke besuar se të tijtë do të korrigjohen para rinisjes së kampionatit.

“Natyrisht, gjatë javës do të ndalemi për të korrigjuar gabimet që kemi bërë, sepse kuptohet se ai që nuk zbaton detyrat individuale dhe ato në grup, nuk ka vend në fushë”, shton trajneri peqinas.

OBJEKTIVI

Magani flet edhe për objektivin e Besës dhe lëvizjet në merkato.

“Objektivi ynë mbeten vendet e para dhe na duhet patjetër të mos bëjmë gabimet e fazës së parë. Gara është shumë e vështirë, sepse jemi informuar se edhe ekipet e tjera janë forcuar në merkaton e janarit. Objektivi madhor është rikthimi në Superiore dhe duhet të llogarisim mirë çdo hap që hedhim. Të shohim çfarë do të bëjmë deri në fund të merkatos, ku shpresoj të jemi kompletuar”, thekson Magani.

bizhdili magani

Në miqësoren ndaj Teutës u aktivizuan 3 futbollistët e ardhur së fundmi te Besa, portieri Ajazi dhe mesfushorët Lila dhe Kamara. Ndeshjen e radhës kavajasit e kanë me Turbinën në Cërrik. Kalendari duket favorizues për verdhezinjtë, që presin në shtëpi rivalët e Pogradecit dhe Apolonisë.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"