Tetova “qan” mungesat, por parashikon kthesën. Pepa: Reagojmë me Luzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2022 | 10:16

Tetova “qan” mungesat, por parashikon kthesën. Pepa: Reagojmë me Luzin

Lushnja u bë vite në Kategorinë e Parë, por kurrë nuk ka qenë më keq se sot. Skuadra pozicionohet në vendin e 12- të, me vetëm 8 pikë të grumbulluara. Për të mos rrezikuar më shumë, kthesa është domosdoshmëri dhe duhet thënë që “luksi” u krijohet nga kalendari. Dy ndeshje radhazi i luajnë në shtëpi dhe me 6 pikë të plota, situata mund të përmirësohej ndjeshëm.

EDLIR TETOVA 1 (1)

Pa kaluar te Tërbuni i javës së 10-të, në radhë kanë fillimisht Luzin 2008. Një ekip që është vërtetë debutues në këtë ligë, por po bën çudira dhe jo më kot janë 7 kate më lart se verdhejeshilët në renditje.

TETOVA – Trajneri është optimist para kësaj ndeshjeje, ndonëse i duhet që të bëjë llogaritë me disa mungesa. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, Edlir Tetova radhit numrin e dëmtimeve.

“Pas disfatës me Besën, ekipi ka reaguar në stërvitje. Duke parë që edhe pozicioni në fundin e tabelës nuk është komod, ekipi është parë shumë i impenjuar në seancat stërvitore. Por për ne si staf përbën shqetësim mungesa e disa lojtarëve, që nuk do t’i kemi të disponueshëm për këtë ndeshje. Korreshi u operua këtë javë, Alushi pas ndeshjes me Besën shfaqi shqetësime në shpinë, ndërsa Gjyla dhe Isufi vuajnë dëmtimet e kaluara. Por këtë javë na është rikthyer Nuri që ka lënë pas dëmtimin. Shpresoj që nesër nga ana e lojtarëve të marr më të mirën dhe të dalim nga kjo gjendje ku ndodhet skuadra”, deklaroi tekniku i lushnjarëve.

PEPA – Që të fitojnë, duhet të shënojnë. Kjo detyrë u mbetet pikërisht lojtarëve të vijës së parë. Brunild Pepa e di se çfarë pritet prej tij, por ka edhe një kërkesë për tifozët.

Pepa Lushnja

“Kemi dy ndeshje radhazi në shtëpi dhe duhet të marrim 6 pikë. Nesër(sot) do të shihni Lushnjën e vërtetë, do të jetë një tjetër ekip. Siç dihet, grupi ynë është ribërë, tashmë kemi në krye edhe një tjetër trajner. E vlerësojmë Luzin për atë që ka bërë, por alternativa jonë e vetme është fitorja. Unë u them qytetarëve lushnjarë që të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe do të rigjejmë trepikëshin e munguar”, deklaroi shënuesi më i mirë i Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"