Tetë të huaj, Skënderbeu pritet të ndryshojë me ish-futbollistin e Vasko de Gamës/ Memelli ka tashmë një ekip të plotë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2021 | 21:30

Tetë të huaj, Skënderbeu pritet të ndryshojë me ish-futbollistin e Vasko de Gamës/ Memelli ka tashmë një ekip të plotë

Afrimi i mesfushorit brazilian Bruno Riter së fundmi te Skënderbeu pritet të ketë një reaksion zinxhir te korçarët. Skuadra ka shtuar një element më shumë në mesfushë dhe tanimë duket më e kompletuar.

bruno-ritter-em-acao-contra-o-cruzeiro.jpg.800x0_q95_crop

Kjo, për vetë faktin se largimi i Murilo Rosës krijoi një gropë më shumë në repartin e mesit të fushës, që u trondit edhe nga largime të tjera si ato të Taipit dhe Rrapajt. Por, trajneri Migen Memelli ka në dispozicion lojtarin e kërkuar, duke forcuar kështu një repart që ishte problematik për të përballuar një sezon të tërë. Braziliani Riter pritet që të jetë shok reparti me Zhan Viktorin dhe Kosta Vangjelin, për të ndarë dy nga tre pozicionet e mesfushës, pasi një prej tyre është “pronë” e Uerdi Marës.

memelli2

Afrimi i 22-vjeçarit bën që Memelli të guxojë të rikthejë në prapavijë ganezin Randi Dumfur, lojtar ky që ka treguar së fundmi se në mbrojtjen me tre, e interpreton më së miri, duke dhënë shumë garanci, por edhe duke ndihmuar mesfushën. Kjo do të jetë një plus i madh për Memellin, që tashmë mund të mbulojë disi edhe mungesat që mund të kenë këto dy reparte gjatë kampionatit.

TË HUAJT

Ardhja e brazilianit Bruno Riter ka krijuar një fryrje të numrit të të huajve në ekip, aq sa për sezonin e ri, Memelli duhet të tregojë kujdes për të menaxhuar si duhet balancat me pesë lojtarët që lejohen për të luajtur gjatë 90 minutave. Momentalisht, në urdhrat e trajnerit janë tetë lojtarë të huaj, mes të cilëve katër titullarë të padiskutueshëm. Kjo bën që numri një i pankinës korçare të alternojë disi shpërndarjen e fanellave të titullarit, për të mos pasur probleme.

Skenderbeu2

Në kushte të tilla, pritet që Randi, Bismark dhe Mensah të kenë një pozicion titullari, përgjithësisht ne pjesën më të madhe të sezonit. Ndërsa dy brazilianët pritet që të luftojnë së bashku për një fanellë, kjo e bën më të favorizuar Viktorin, që ka më shumë kohë në ekip dhe njeh më mire filozofinë e Memellit, të paktën për momentin. Ndërsa për tre të huajt e tjerë Dovuna, Asante dhe Abei, duket se do të jenë më shumë në pozicionin e alternativave për Memellin. Ata pritet të aktivizohen kur të ketë deficencë lojtarësh për shkak mungesash.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"