Tetë fitore radhazi në shtëpi për Apoloninë, flet Hebeja: Jemi të pathyeshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2022 | 19:38

Tetë fitore radhazi në shtëpi për Apoloninë, flet Hebeja: Jemi të pathyeshëm

Me tetë fitore radhazi, Apolonia është e pathyeshme në Fier. Në shtëpi fierakët kanë tjetër siguri, gjë që u mungon në transferta. E megjithatë, Rubin Hebeja mendon se 4 javët e fundit do të rikuperojnë edhe jashtë fushe.

hebeja

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori paralajmëron surprizën kundër Korabit. Kundërshtari nuk e njeh humbjen në Peshkopi, por 20-vjeçari është optimist:

“Pas humbjes në Cërrik, me Pogradecin gjetëm kthesën. Ishim më të plotë në organikë dhe kjo bëri të vetën. Nuk u demoralizuam pas atyre humbjeve në transfertë, përkundrazi shtuam dozën e punës dhe morëm përgjegjësitë tona.

Ndeshjet në shtëpi i luajmë më të çliruar dhe gjithmonë marrim maksimumin e pikëve. Ndihemi shumë mirë në stadiumin tonë, nga njëra janë tifozët dhe në tjetrën terreni.

Ndeshjet e fundit në shtëpi tregojnë hapur se skuadra shënon shpesh dhe e gjen rrugën e rrjetës disa herë brenda ndeshjes. Gjithashtu, fitoret në shtëpi na kanë ngritur më shumë në renditje, sidomos në fazën e dytë ku kemi mposhtur këdo.

Kur kanë mbetur 360 minuta, duhet të mbledhim forcat. Të radhës e kemi në Peshkopi, ku përballemi me Korabin. I kemi nisur shumë shpejt përgatitjet, sepse dëshirojmë të bëjmë surprizën në Peshkopi.

Zonën ‘play off’ nuk do ta diskutojmë, po as vendin e 4-t. Por duhet kujdes ama, pasi asgjë nuk ka mbaruar.”, tha Hebeja.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"