Tetë afrime në total/ Klubi i Kategorisë së Parë pa frena, prezantohen mesfushori dhe mbrojtësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2021 | 12:45

Tetë afrime në total/ Klubi i Kategorisë së Parë pa frena, prezantohen mesfushori dhe mbrojtësi

Erzeni nuk po di të ndalet. Siguron shërbimet e dy lojtarëve të tjerë, duke e çuar në 8 numrin e afrimeve në këtë merkato. Shijakasit e kanë marrë më shumë se seriozisht sezonin 2021-2022, nga i cili kanë vetëm një synim: ngjitjen në elitë.

Erzeni2

Pasi prezantuan Isli Hidin, Jasmin Raboshtën, Orian Xhemalajn, Fadil Metën, Xhulio Mehmeti e Xhorxhian Boçi zyrtarisht janë vënë nën urdhrat e Nevil Dedes edhe Alfred Deliallisi me Ditmir Becin.

I pari vjen nga Vora me statusin e “kapitenit”, ndërsa i dyti kampionatin e mbylli te Burreli. Me mesfushorin dhe mbrojtësin plotësohet edhe më shumë organika e skuadrës nga Shijaku, që këtë vit ka nisur një projekt më shumë se serioz për Kategorinë e Parë.

PLANI PËR MERKATON

E megjithatë, klubi nuk do ta lërë me kaq. Kur “dritarja” e transferimeve është ende e hapur dhe skuadra është në periudhë përgatitjesh, të tjera goditje priten.

Miqësoret që do të zhvillohen do të jenë përcaktuese për të evidentuar nëse ka apo jo më nevojë për prurje. Ndeshja e radhës që drejtuesit kanë programuar është ajo e së shtunës. Ata do të udhëtojnë në Lushnjë, për të matur në “Roza Haxhiu” forcat me ekipin vendës.

DELIALLISI, KTHIM NË SHTËPI

Për Alfred Deliallisin ky është rikthim në shtëpi. Ai nuk e fsheh aspak gëzimin për firmën me shijakasit, ndërsa për “Panorama Sport” deklaron: “Pas shumë bisedimeve që kisha kryer me Vorën, e mbyllëm gjithçka miqësisht dhe u jam mirënjohës për këtë. Duke qenë lojtar i lirë, nisën edhe oferta.

Kisha dëgjuar për projektin madhor të Erzenit dhe pas një telefonate që mora nga stafi drejtues i shijakasve, nuk hezitova dhe e pranova menjëherë ofertën. Dua të jem pjesë e ndërtimit të një Erzeni, që shumë shpejt do të bëjë historinë. Edhe përbërja e grupit me në krye trajnerin Nevil Dede më bëri të mos i them ‘jo’. Tani pritet që synimet t’i konkretizojmë”, përfundoi 28-vjeçari.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"