“Testi ideal jo vetëm për të fituar, por edhe eksperimentuar”, Sauthgejt: Me Italinë pa tifozë, është turpi ynë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2022 | 10:43

“Testi ideal jo vetëm për të fituar, por edhe eksperimentuar”, Sauthgejt: Me Italinë pa tifozë, është turpi ynë

Trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, e ka quajtur një turp për vendin faktin që ndeshjen e sotme të Ligës së Kombeve kundër Italisë do ta luajnë me stadiumin e boshatisur. Federata Angleze u dënua me dy ndeshje me dyer të mbyllura (njëra është pezulluar) pas sjelljes së dhunshme të tifozëve në finalen e Europianit kundër Italisë një vit më parë në “Wembley”.

sauthgejt

Sot në “Molineux” do të jenë 3 mijë tifozë të pranishëm, kryesisht fëmijë nën 14 vjeç, të cilët sipas rregullave të UEFA-s lejohet të hyjnë në stadium kur ndeshjet luhen me dyer të mbyllura.

“Nëse ky është një turp, është për Anglinë si vend”, tha Sauthgejt në konferencë.

“Shumë prej njerëzve që shkaktuan problemet nuk jam i sigurt nëse ishin tifozë futbolli. Ne folëm për këtë pas finales. Shumica e tifozëve anglezë që udhëtuan në Gjermani u sollën shkëlqyeshëm. Një faleminderit e madhe shkon për ta, sepse ndoshta njerëzit mendonin diçka ndryshe”.

Sauthgejt shtoi se të gjithë lojtarët që ka në dispozicion janë në gjendje të luajnë kundër Italisë, pavarësisht se ai paralajmëron se do të ketë ndryshime nga barazimi 1-1 me Gjermaninë të martën.

“Nuk kemi asnjë lojtar që nuk mund të përdorim, por duhet të mendojmë për disa ndryshime dhe duhet të marrim në konsideratë edhe freskinë e skuadrës gjithashtu.

Mendoj se ndeshja kundër Italisë është një test shumë i mirë, i nivelit më të lartë, për të treguar besim ndaj lojtarëve.

Për ne në këtë moment është e rëndësishme jo vetëm që të fitojmë, por edhe të bëjmë të gjitha provat e mundshme, duke u dhënë lojtarëve mundësinë për të luajtur në ndeshje të rëndësishme si kjo”.

Fill Foden është rikthyer në stërvitje pasi kaloi Koronavirusin, por aktivizimi i tij mbetet në dyshim. Ndërsa Kalvin Filips u stërvit i diferencuar pas një goditjeje që mori në këmbë në duelin me Gjermaninë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"