“Tersi” i Kuçovës, sulmuesi i Laçit mbylli vitin në ndeshjen e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 16:17

“Tersi” i Kuçovës, sulmuesi i Laçit mbylli vitin në ndeshjen e Kupës

Fusha e Kuçovës, për të dytin sezon me radhë, sjell ters për klubet e Superiores që luajnë ndeshjet e Kupës si mysafir ndaj Naftëtarit. Një vit më parë, pikërisht në shtator, në këtë fushë u dëmtua mbrojtësi i Partizanit, Arbnor Fejzullahu, dëmtim i cili rezultoi i rëndë. Ishte ndeshje Kupe, por Fejzullahu u dëmtua në gju që në minutën e 13 dhe pas operacionit iu deshën muaj që të rikuperohet dhe u rikthye vetëm në fund të sezonit.

ivan galic

Fati i keq i preshevarit e ka përndjekur edhe sulmuesin e Laçit, Ivan Galiç, i cili u dëmtua në ndeshjen e Kupës ndaj Naftëtarit. Mësohet se kroati ka pësuar një dëmtim të rëndë, që ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe apriori ky vit quhet i mbyllur për sulmuesin e Laçit.

Ivan Galiç ishte një nga afrimet që kurbinasit bënë në fund të merkatos për të forcuar fazën sulmuese, e cila u dobësua nga largimi i Myrto Uzunit. Kurbinasit prisnin shumë nga ish-lojtari i Flamurtarit, por ai e mbylli sezonin te Laçi pa pasur mundësinë që të luajë në kampionat, pasi u lëndua në ndeshjen e Kupës. Ky lëndim i shton “hallet” për trajnerin Mërgjyshi, pasi edhe përforcimet e tjera në sulm nuk janë në gjendjen optimale dhe tani shpresat varen tek i riu Xhixha.

Përpos këtyre problemeve të shumta në fazën sulmuese, Laçi nuk e ka provuar shijen e humbjes në katër javët e para të kampionatit, pasi ka një fitore dhe tri barazime. Në se sulmuesit e tjerë shpresohet që të kapin formën, për Galiç ndryshon situata, pasi sezoni i tij te kurbinasit ndoshta mund të quhet i mbyllur pas dëmtimit në transfertën e Kuçovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"