Terim justifikon humbjet e Kosovës: Erdhën se nuk i kanë dhënë disa 11-metërsha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2017 | 14:11

Terim justifikon humbjet e Kosovës: Erdhën se nuk i kanë dhënë disa 11-metërsha

Trajneri i Kombëtares turke, Fatih Terim, është i qetë në prag të ndeshjes eliminatore që skuadra e tij do të luajë ndaj Kosovës, edhe pse kohët e fundit situata në skuadrën që ai drejton nuk është shumë pozitive. Kjo, pasi Arda Turan është përjashtuar nga skuadra për shkak se ka goditur një gazetar.

arda turan fatih terim

Ylli i Barcelonës është një humbje e madhe për Kombëtaren turke, megjithatë trajneri nuk ka toleruar. “Mendoj se problemet që kemi pasur në skuadër nuk do të ndikojnë në atë që do të japim në fushë në ndeshjen ndaj Kosovës. Jam një njeri që di ta menaxhojë shumë mirë skuadrën”, ka thënë Terim para gazetarëve në konferencën e djeshme për shtyp.

Ai gjithashtu ka bërë me dije se pret një fitore nga skuadra e tij, duke shpresuar edhe te përballjet direkte që kanë kundërshtarët e Turqisë me njëri-tjetrin. “Mendoj se dita e nesërme (sot) është e rëndësishme për Turqinë, kjo edhe për shkak të dueleve që kanë kundërshtarët tanë. Nëse ne arrijmë të marrim pikët e plota, atëherë ndonjë favor mund të na e bëjnë edhe rivalët”, ka vazhduar Terim, i cili i ka bërë edhe elozhe Kosovës.

terim bunjaki

“Ajo që mund të them, është se Kosova po përparon me ritme të shpejta dhe në disa ndeshje kanë qenë shumë afër marrjes së pikëve, madje nuk i janë akorduar edhe 11-metërsha. Në takimin ndaj Islandës edhe mund të kishin fituar. Kosova është një ekip i fortë dhe po rritet gjithmonë e më shumë. Për këtë arsye nuk mund të them se cilat janë pikat më të forta të kundërshtarit tonë të radhës”, ka thënë trajneri i Turqisë, Terim, i cili është një emër i njohur në futbollin botëror.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"