Tërheqja e ‘Mbretit’, pse Federer bëri revolucion/ Nga rekordet te lotët në “Laver Cup”, karriera e pabesueshme e zviceranit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 20:24

Tërheqja e ‘Mbretit’, pse Federer bëri revolucion/ Nga rekordet te lotët në “Laver Cup”, karriera e pabesueshme e zviceranit

Mbreti është tërhequr, tashmë nuk do të ketë një mbret të ri. Disa javë më parë Roxher Federer komunikoi me anë të një mesazhi në “Instagram” vendimin e tij për të t’i dhënë fund karrierës, një zgjedhje e detyrueshme pasi në moshën 41- vjeçare trupi nuk e lejonte më të garonte në nivel konkurrues.

220928100229-03-federer-nadal-0923-bars

Këtu po flasim për tërheqjen e sportistit më të madh të të gjitha kohërave, një tenisti zviceran, i cili me veprat e tij dhe triumfet e tij tashmë të pallogaritshme ka fituar titullin “Mbreti i Tenisit” dhe sportit botëror. Njoftimi pritej prej vitesh, por kur vjen lajmi, emocioni i parë që përcjell është trishtimi. Për të renditur të gjithë titujt e Roxherit nuk mjaftojnë këto pak rreshta, por mund të ndalemi dhe të përmendim tetë titujt e fituar në Uimbëlldon, si askush tjetër, përveç Martina Navratilovës në radhët e femrave.

I PAKRAHASUESHËM – Padyshim që ka nga ata që kanë arritur të fitojnë më shumë se Federer, por loja e zviceranit mbetet e paimitueshme. Askush nuk e kishte parë ndonjëherë diçka të tillë, një revolucion tenisi, i papërsëritshëm, pasi vetëm Roxher ishte në gjendje të luante në atë mënyrë dhe sot nuk ka lindur asnjë tenist që mund të krahasohet me të. Madje as numri një aktual në botë, që me gati njëzet vjet karrierë përpara tij, sigurisht që mund të aspirojë të kalojë numrin e titujve të fituar nga Federer, spanjolli Karlos Alkaraz, i cili do të jetë në gjendje të dominojë skenën botërore të tenisit dhe sigurisht do të rezervojë një vend në Olimp, duke shkruar emrin e tij pranë atij të më të mëdhenjve.

Por për të arritur Roxher Federerin nuk do të mjaftojë fitimi i trofeve. Ka pasur edhe disa lojtarë të pare si pasues të “Mbretit”, kemi shembullin e Grigor Dimitrov, i mbiquajtur “Federeri i vogël” për lëvizjet dhe lojën e tij. Një emër i rëndë për t’u mbajtur, që ndoshta ka kontribuar edhe në rënien e Dimitrovit, i cili u zhduk nga radarët pas fitores së tij në “Finals e 2017” dhe tani askush nuk guxon të bëjë një krahasim të tillë.

FEDERER

MBRETI I FUSHAVE ME BAR – Kurorëzimi i Roxherit u bë pa dyshim në fushat me bar të Uimbëlldonit. Një aventurë që filloi në 1998 me fitoren e turneut të të rinjve dhe me legjendën e shtatë herë fituesit Pit Sampras. Kështu, që nga viti 2001 kundër kampionit amerikan për herë të shtatë në fuqi, fillon zyrtarisht historia e Federer: 2 korrik 2001. “Times” do ta përshkruante kështu: “Dita kur gjithçka ndryshoi në Uimëblldon”. I riu zviceran arrin të mbizotërojë mbi idhullin e tij në pesë sete, ai është vetëm 20 vjeç dhe tashmë ka marrë nën kontroll të ardhmen e tenisit.

Një vit më pas talenti i tij lëkundet për herë të parë dhe të vetme në karrierën e tij, çuditërisht eliminohet në turin e parë nga një kroat shumë i ri, Mario Ançiç, i ardhur nga kualifikueset, i cili me karrierën e tij në shërbim dhe volej arriti të mbërrinte në vendin e shtatë në renditjen e vitit 2006. Në vitin 2003 vjen titulli i parë duke mposhtur Andi Rodik dhe Mark Filipousis, dhe trofeu u ngrit në “Centrale” me lot në sy.

Më tej filloi një seri fitoresh të njëpasnjëshme në turneun e jashtëzakonshëm të Londrës: Viti 2004, mundi Rodik në finale pas një gjysmëfinale të pafund kundër Groszho, me këtë rast ai mbajti lotët dhe vendosi synimin për të trefishuar suksesin në vitin 2005. Premtimi u mbajt në përsëritjen e finales ndaj amerikanit, tre tituj radhazi (si Borg dhe Sampras) dhe tri fitore radhazi ndaj lojtarit me shërbimin më të mirë në botë në ato vite, por Roxher nuk kishte ndërmend të ndalej.

TITULLI MË I BUKUR – Finalet e viteve 2006 dhe 2007 janë të paharrueshme, të dyja kundër Rafa Nadalit. Më 9 korrik, pak orë para fitores së Italisë në Kampionatin Botëror të futbollit në Gjermani, Roxher fiton titullin dhe e cilëson atë si ndeshjen e tij më të mirë në karrierë. Një vit më pas, në prani të Bjorn Borg, që mbante rekordin për 5 tituj radhazi, zhvillohet një nga ndeshjet më të bukura në historinë e turneut dhe Roxher fiton titullin e pestë radhazi. Edhe pse jo ndeshja më e mirë e Uimbëlldonit, finalja e vitit 2008 është edhe më e pabesueshme, ishte ndeshja më e mirë e tenisit e atyre viteve.

“The Times” e quajti atë “stuhia e përsosur”, dy “match point” të anuluara nga Roxher, njëra me një kalim mbresëlënës, ndoshta pika më e mirë e karrierës së tij. Në të pestën, sfida shkon përtej barazisë, por pavarësisht një paraqitjeje të jashtëzakonshme të Federerit, tenisi gjithmonë duhet të zgjedhë një fitues dhe atë ditë ishte radha e Rafael Nadalit. Një vit më pas spanjolli do të mungojë në Uimbëlldon, kështu që rruga drejt titullit të gjashtë dukej e hapur, deri në finale ai lë vetëm një set kundër Kohlshreiber, kundërshtari i tij në aktin e fundit është sërish Rodik, i cili asnjëherë si në atë rast nuk e ka vënë aq shumë në vështirësi, por pavarësisht gjithçkaje arriti të mbizotërojë me rezultatin 16-14 në setin e pestë, finalja më e gjatë në histori deri në atë moment.

Sampras kishte fituar 7 herë turneun “All England Club” dhe në vitin 2012 Roxher arrin rekordin e idhullit të tij, në një ndeshje që anglezët nuk kanë gjasa ta harrojnë, sepse në anën tjetër të rrjetës ishte Andi Mërrej, britaniku që do të arrijë të fitojë turneu në vitin 2016. Disa javë më vonë u mbajt ndeshja në Olimpiadën e Londrës 2012, por në atë rast Roxher arriti në finale i rraskapitur nga përpjekja e madhe për të kaluar Del Potron në gjysmëfinale me një set me 36 “game”. Rezultati është i qartë dhe Andi Mërrej fitoi medaljen e artë olimpike.

REKORDI NË UIMBËLLDON – Karriera fituese në Uimbëlldon pas atyre humbjeve dukej se po mbyllej, kjo edhe sepse Novak Xhokoviç kishte nisur të fitonte titujt e tij të parë në fushat më bar (tre prej të cilëve kundër kampionit të Bazelit). Në vitin 2017, një seri tërheqjesh dhe humbjesh befasuese e bënë Roxherin favoritin e historisë: Mërrej u eliminua çuditërisht nga Kerrei në çerekfinale, Xhokoviç u tërhoq kundër Berdish dhe Nadal i befasuar në pesë orë nga Xhil Myler.

Duke u hakmarrë për humbjen ndaj Raonic disa vite më parë dhe atë të vitit 2010 me Berdish, Federer arrin në finale ku takohet me Marin Ciliç, një kroat, ashtu si Mario Ançiç që në vitin 2002 Federer kishte pësuar humbjen më të hidhur e karrierës. Por këtë herë ndeshja ka vetëm një mjeshtër dhe Roxher Federer ia kalon idhullit të tij, duke fituar turneun e Uimbëlldonit për të tetën herë. Një rekord që ndiqet ende nga Novak Xhokoviç, i cili ka shtatë tituj dhe një seri prej katër fitoresh radhazi.

Karriera dukej se po mbyllej në vitin 2018 kur ai humbi papritur një “match point” që do t’i kishte lejuar të mbyllte llogaritë 3-0 ndaj Kevin Anderson, duke e humbur atë pikë në vend të kësaj pësoi një përmbysje të jashtëzakonshëm që e lejoi afrikano-jugorin të kalonte në gjysmëfinale kundër Isnerit në një maratonë tjetër, e cila përfundoi në vendin e pestë me rezultatin 26-24 në 6 orë e gjysmë. Ajo ndeshje e bindi ATP-në të prezantonte “tie break” në setin e pestë, por të gjitha goditjet morën disa vendime në këtë drejtim. Në Londër u vendos që të luhej “tie break” vetëm me rezultatin 12 barazim, dhe ja çfarë ndodhi në ndeshjen më të bukur të tenisit të viteve 2010.

FINALJA E FUNDIT – Në finalen e Uimbëlldonit të vitit 2019, Federer dhe Xhokoviç do të përballen me njëri-tjetrin. Roxher është vërtet një hap larg fitimit të titullit të nëntë, ai ka dy “match point” me shërbimin në favor të tij në rezultatin 8-7 në setin vendimtar. Por Xhokoviç arrin t’i anulojë të dyja dhe më pas loja vazhdon për mbi një orë, duke u bërë finalja më e gjatë në histori. Me “tie brek” vjen fitorja e serbit, kjo do të jetë finalja e fundit e Grand Slam e luajtur nga Roxher në karrierën e tij.

Një disfatë që ende djeg dhe që nga e cila ai ndoshta nuk e ka marrë kurrë veten, pavarësisht fitores së fundit në Basel dhe pjesëmarrjes së fundit në “Finals”, ku mundi Berretinin dhe humbi në gjysmëfinale me Tsitsipas. Në vitin 2020 me pandeminë, Roxher ndalon për më shumë se një vit duke vendosur t’i përkushtohet familjes së tij pas humbjes me Xhokoviçin në gjysmëfinale në Melburn. Ai do të rikthehet të luajë në vitin 2021, duke humbur në Doha me Basilashvilin. Mori pjesë në një turne të fundit në shtëpi, në Gjenevë në fushat me dhe, ku u mund nga Andujar në raundin e pare.

Mori pjesë në Roland Garros, fiton me Çiliç pak si me surprizë dhe më pas tërhiqet para se të përballet me Mateo Beretinin. Bari duhej të ishte sipërfaqja e tij dhe të sanksiononte rikthimin e tij në nivele të larta, por edhe në fushën jeshile nuk është konkurrues, humbet nga Auger Aliasime në “Halle”, merr pjesë për herë të fundit në Uimbëlldon, duke luftuar shumë me Manarinon në raundin e parë dhe në çerekfinale dominhet nga Hurkaz, që aktualisht mbetet ndeshja e fundit e karrierës së mbretit Roxher, para prezencës simbolike në “Laver Cup”.

LOTËT E LAMTUMIRËS – Kompeticion “Laver Cup”, i mbajtur në fundjavën e kaluar në Londër do të bashkoi për herë të fundit katër kampionët që kanë dominuar skenën e tenisit për më shumë se 15 vjet, Andi Mërrejn, Novak Xhokoviçin, Rafael Nadal dhe në fund Roxher Federerin.

Gjithçka u mbyll me atë skenë emocionuese në “Laver Cup”, me ikonat botërore të tenisit që shpërthyen në lot, duke mallëngjyer të gjithë botën. Kështu karriera e sportistit më të madh në histori mbyllet zyrtarisht në Londër, në “O2 Arena”, vendi ku zvicerani fitoi dy herë finalet e ATPsë, fushë që ndodhet pak kilometra larg “All England Club”, tokës ku u kurorëzua “Mbret”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"