Tërbuni zyrtarizon serbin Tasiç, gati dhe një brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2016 | 14:33

Tërbuni zyrtarizon serbin Tasiç, gati dhe një brazilian

Tërbuni zyrtarizon një serb për mbrojtjen. Aleksandar Tasiç sot do të vihet nën urdhrat e stafit teknik. Ai është 27 vjeç dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur me skuadra si Dinamo Vranje, Pozarevac, Mladi Radnik, Smederova dhe FC Le Mont LS. Por nuk është i vetmi, pasi një tjetër brazilian po ashtu do t’u bashkohet pukjanëve.

terbuni

Viktor Gjoni shprehet paksa i mërzitur për humbjen, e megjithatë beson se në vazhdim rezultatet nuk do të mungojnë. Ai shpreson se me dy afrimet e fundit ekipi do të kompletohet plotësisht dhe do të jetë gati për ta përballuar garën.

“Prisja të paktën një barazim, paçka se e lehtë nuk ishte. Ekipi është i ribërë dhe të rinjtë e afruar rishtas duan kohë që të përshtaten me lojën e njëri-tjetrit. Kjo bëri që të mos i bënim ballë një kundërshtari me eksperiencë e traditë si Tirana.

Merkato mbyllet me dy prurje të fundit, që nesër (sot) do të bashkohen me grupin në stërvitje. Me ‘pazarin’ e bërë mendoj se do t’ia dalim, pasi përforcimet janë cilësore. Këtë javë vëmendja është e përqendruar te Bylisi, sfidë që do të bëjmë çmos për ta fituar. Ballshiotët janë në pozita jo të mira, sikundër edhe ne. Por, derisa e kemi rival direkt, do të trajtohet si finale.

Ardhja e Tasiç dhe një braziliani do të rregullonte shumëçka në ekip. Të shtunën na mungoi braziliani Rodrigo Vidal për arsye dëmtimi, por besoj se në javën e 20-të do të jetë gati. Janë në lojë edhe 51 pikë, ndaj s’ka vend për demoralizim. Ne nuk dorëzohemi, duke qenë se matematika na mban në lojë. Çdo sfidë e mbetur do të trajtohet si finale dhe besoj se kthesa do të vijë kundër Bylisit”, përfundoi trajneri i Tërbunit.

Përgatiti: Ditmir Pema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"