Tërbuni rrëzohet një kategori më poshtë, reagon kryebashkiaku Gjonaj: Vendim klanor, penalizohet një qytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2020 | 12:07

Tërbuni rrëzohet një kategori më poshtë, reagon kryebashkiaku Gjonaj: Vendim klanor, penalizohet një qytet

Pas vendimit të Komisionit të Disiplinës, që e zbriti Tërbunin nga kategoria, ka reaguar presidenti Gjon Gjonaj, i cili e konsideron një dënim krejtësisht të padrejtë dhe klanor. Ai ka pohuar për gazetën se do të ndiqen të gjitha shkallët për të fituar drejtësinë, ndërkohë që akuzon Egnatian për një skenar të përgatitur mirë prej saj. “Provat nuk janë marrë të sakta nga Komisioni i Disiplinës, është bërë gjithçka me qëllime të caktuara nga ekipi kundërshtar, sepse edhe motivi i kundërshtarit në atë ndeshje nuk ishte lufta sportive. Në fushë nuk pati asgjë, edhe gjykimi perfekt dhe rezultati iu përgjigj lojës.

gjon-gjonaj

Gjithçka ndodhi kur stafet përkatëse teknike patën përplasje për problemet e tyre. Ekipi i Rrogozhinës ka provokuar në mënyrë permanente dhe, me sa duket, ata për këtë punë kishin ardhur në Pukë, për t’i krijuar lehtësi edhe Dinamos. Nuk ishte ngjarje e atyre përmasave që të ndëshkohej ekipi në këtë mënyrë. Nuk mund të hidhet poshtë gjithë ajo luftë sportive dhe shpenzimet që ne kemi bërë. Për ato 30 sekonda nuk mund të jepet një verdikt i tillë jo i drejtë. Ne do ta apelojmë çështjen, do të shkojmë në të gjitha shkallët e mundshme të drejtësisë.

Jam shumë i indinjuar, sepse nuk po bëhet një vlerësim real i situatës, por një vlerësim klanor. Tërbuni ka dhënë shembuj konkretë për korrektesën e tij si ekip, për qytetarinë dhe kulturën. Është një investim gjigant brenda kuadrit të bashkisë. Nuk kemi pasur asnjë incident prej 12 vjetësh”, thekson fillimisht kryebashkiaku i Pukës.

Terbuni5

AKUZA EGNATIAS – “Pjesëtarët e FSHF-së e kanë parë situatën, por nuk është marrë në konsideratë raportimi i tyre. Janë marrë në konsideratë pretendimet e Egnatias. E thashë, do të ndjekim të gjitha rrugët për të gjetur drejtësi. Është një dënim i rëndë për qytetin e Pukës.

Kemi marrë masat edhe për personelin që ka thyer rregullat në atë ndeshje, kemi larguar nga puna dhe i kemi denoncuar ata që shkelën ligjin. Ky është një vendim ndaj popullit pukjan, jo vetëm ndaj futbollit. Ka bërë mirë Disiplina me vendimet për individin, por jo të dënohet i gjithë qyteti”, ka thënë për “Panorama Sport” kryebashkiaku i Pukës dhe njëkohësisht presidenti i Tërbunit, Gjon Gjonaj. Fatjon Rupi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"