“Tërbuni na ka mundur dy herë, por historia sot ndryshon”, Kanarsa: Barazim? Harrojeni, Apolonia luan për fitore!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 11:07

“Tërbuni na ka mundur dy herë, por historia sot ndryshon”, Kanarsa: Barazim? Harrojeni, Apolonia luan për fitore!

Apolonia është gati për Tërbunin, të cilin e pret sot në orën 16:00 në “Loni Papuçiu”. Formula e zgjedhur nga FSHF-ja i favorizon dukshëm dhe fierakët nuk kanë në plan që t’u ikë nga duart ky shans. Vërtet nuk kanë bilanc pozitiv me pukjanët, por Juri Kanarsa paralajmëron tjetër histori. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri nuk mjaftohet me barazimin dhe troç e thotë që kërkon fitoren e 11-të radhazi në shtëpi.

Juriy KANARSA

Apolonia arriti “play off”-in dhe sot pret Tërbunin. Jeni gati?

Ne kemi bërë në kompleks një kampionat të mirë dhe me meritë të plotë kapëm vendin e katërt. Sigurisht që mund të ishim më mirë me pikë, por në fund ka rëndësi që objektivi i parë u arrit. Nisja e sezonit nuk ishte më e mira, por gjetëm forcë dhe u ringritëm në fazën e dytë. Që në fillim kam besuar te ky grup lojtarësh dhe koha më dha të drejtë sepse rezultatet pozitive erdhën njëra pas tjetrës. Tashmë kemi një mision, të kalojmë Tërbunin dhe të shkojmë në finalen e radhës të “play off”-it.

Tërbuni ju ka mundur dy herë këtë sezon. A ju tremb ky fakt?

Humbjet ndaj Tërbunit i përkasin së shkuarës dhe të them të drejtën ne nuk e kthejmë kokën pas. Ajo që ka kaluar, ka kaluar dhe ne kemi nxjerrë mësimet e duhura nga të dyja humbjet. U kam thënë lojtarëve shprehimisht se asnjë humbje e mëparshme nuk ndikon në rezultatin e sfidës së sotme. Kjo ndeshje e tretë ka një tjetër histori dhe aktualisht Apolonia është në një moment shumë të mirë, gjithashtu morali i skuadrës është i lartë, prandaj besoj shumë që këtë herë fituesit jemi ne.

Keni 10 fitore radhazi në “Loni Papuçiu”, do të mbeteni të pathyeshëm edhe nesër (sot)?

Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj sfide, ama e kemi pritur shumë këtë përballje. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, madje në çdo seancë stërvitore kam parë seriozitet maksimal dhe përgjegjshmëri nga të gjithë djemtë fierakë. Sigurisht që dëshiroj fitoren dhe vetëm fitoren sepse nuk duam të ndalemi me kaq për ëndrrën tonë “Abissnet Superiore”. E konsiderojmë një finale më vete, pa diskutim që e respektojmë kundërshtarin, por hyjmë në fushë për të treguar se sa vlejmë dhe fitorja është detyrim për ne. Asnjë rezultat tjetër përveç fitores nuk më kënaq duke ditur rëndësinë dhe vlerën e këtij takimi. Jemi me këmbë në tokë, por e mbajmë kokën lart ndaj cilitdo kundërshtari.

Ju luani për dy rezultate. A e konsideroni një “plus” rregulloren e re?

Nuk më intereson nëse barazimi na hyn apo jo në punë. E kemi përgatitur ndeshjen për ta fituar dhe për të vërtetuar që objektivi ynë madhor është më se i arrit shëm. Shoh si plus të vetëm formën e mirë të lojtarëve fierakë që nga java në javë kanë treguar se mund të mposhtin këdo në shtëpi. Dhjetë fitoret, për më tepër radhazi, nuk janë rastësi. Na mbetet vetëm të kalojmë këtë fazë të rëndësishme, çka na mban me shpresë deri në fund për elitën.

Grupi nuk ka mungesa, por a ka dilema për 11-shen Kanarsa?

Grupi është i plotë dhe tej mase i karikuar. Fatmirësisht asnjë dëmtim dhe aq më pak probleme fizike, ku gjithsecili ka marrë ngarkesën e nevojshme.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"