“Tërbuni e meriton mbijetesën, do t’i marrim pikë Tiranës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2016 | 16:18

“Tërbuni e meriton mbijetesën, do t’i marrim pikë Tiranës”

Tërbuni, pas ndeshjes miqësore me skuadrën e Tiranës B, jav- ën stërvitore e ka mbyllur dje me një seancë të lehtë. flamurtari terbuniNë përfundim të kësaj seance, skuadra është lënë pushim, në mënyrë që lojtarët besimtarë të kenë mundësi të festojnë Pashkët pranë familjeve të tyre.

Zv.trajneri i Tërbunit, Alert Alcani, në një prononcim për “Panorama Sport”, tregon situatën që po kalon klubi, ku përpos problemeve të shumta, kryesisht të karakterit financiar, skuadra ka arritur të bëjë një paraqitje të mirë në fazën e tretë të kampionatit, ku në sfidën e fundit me Laçin fitorja u iku nga duart në minutat e fundit. Alcani pohoi se te Tërbuni ka lojtarë me perspektivë, pasi të rinjtë e afruar në merkato po i nxjerrin vlerat e tyre nga ndeshja në ndeshje.

“Tërbuni i këtij viti është shembulli më i mirë i përkushtimit që lojtarët kanë për fanellën që mbajnë veshur, si dhe respektin ndaj lojës së futbollit. Ekipi u formua nga e para në janar, ku mbizotërojnë të rinjtë e perspektivës. Ata po japin kontributin e tyre dhe janë të ndërgjegjshëm që ta lënë vendin e fundit, pasi dëshira e tyre është që Tërbuni të qëndrojë në Superiore.

Kemi edhe nëntë ndeshje për të luajtur dhe unë i vlerësoj të gjitha skuadrat njësoj, sepse çdo kundërshtar ka objektivin e vet. Të hënën do të fillojmë seancën stërvitore dhe vëmendja jonë do të jetë te ndeshja e radhës me Tiranën.

Është momenti që të marrim frytet e punës së kryer në stërvitje dhe ta kalojmë me sukses përballjen me bardheblutë. Tirana është një ekip me emër, që në përbërje ka kualitete, gjithsesi do të mundohemi të marrim një rezultat pozitiv. Kalendari i fazës së katërt nuk na favorizon, pasi pesë nga nëntë ndeshjet i kemi në transfertë.

Tërbunit i duhen që në katër takimet që kemi brenda të mos lëmë asnjë pikë, pavarësisht kundërshtarit që do të kemi përballë, aq më shumë që ndaj rivalëve direktë, si Bylisi dhe Flamurtari, na duhet fitorja, pasi vetëm kështu mund të sigurojmë mbijetesën. Ndeshja e radhës me Tiranën do të thotë shumë për Tërbunin, pasi nëse marrim rezultat pozitiv në kryeqytet, e presim të qetë Bylisin në shtëpi.

Pavarësisht se ekipit i mungojnë financat, lojtarët nuk po e ndiejnë shumë, pasi ata po japin maksimumin nga ndeshja në ndeshje. Gjithashtu edhe trajneri Gjoni po i qëndron afër ekipit dhe u ka garantuar që javën që vjen do të zgjidhet edhe çështja e detyrimeve të prapambetura, ndonëse lojtarët prisnin që të shlyheshin para festës së Pashkëve.

Personalisht kam besim te ky ekip dhe shpresoj që në fund ta arrijmë qëllimin final. Mendoj se ndaj Tiranës do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve pukjanë, pasi vetëm duke qenë të bashkuar mund t’ia dalim. Në fund dua që t’u uroj festën e Pashkëve ekipit dhe tifozërisë pukjane, por edhe të gjithë besimtarëve shqiptarë”, u shpreh zv.trajneri i Tërbunit, Alert Alcani.

Përgatiti: Ditmir Pema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"