Teqja: Ndaj Kukësit prova e së vërtetës, kemi një grup lojtarët të admirushëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 17:16

Teqja: Ndaj Kukësit prova e së vërtetës, kemi një grup lojtarët të admirushëm

Kamza pret me qetësi ndeshjen kundër Kukësit që do ta zhvillojë në fundjavë. Një performancë të shkëlqyer në këto 4 takimet e para te Kamza ka treguar qendërmbrojtësi Olsi Teqja. Ai tregon për “Panorama Sport” se ndihet komod dhe shpreson në një kampionat pozitiv.

teqja

Kamza u është rikthyer rezultateve pozitive. Po ndihet menjëherë dora e trajnerit të ri apo fitoret vijnë nga ecuria në rritje e skuadrës?

Normalisht që trajneri ka specifikën e vet, duke e përgatitur mirë ekipin, sidomos në aspektin moral. Këtë e tregojnë edhe dy ndeshjet që kemi zhvilluar me të, duke shënuar 4 gola, dy në Kupë dhe dy në kampionat. Nëse do të ecet me këtë rritëm, duke qenë se ekipi është ndërtuar me shumë kujdes, besoj do të na çojë në rezultate të tjera pozitive.

Kamza do përballet me Kukësin. Si është atmosfera në ekip?

Kjo do të jetë një ndeshje ku do të tregohet realisht forca që kemi. Do të jetë një ndeshje e fortë, me objektiv të qartë për të marrë një rezultat pozitiv, ku gjithsecili ka dëshirën për të dhënë maksimumin. Kjo do të tregojë vlerat reale të skuadrës.

A mendoni se Kombëtarja mund të jetë një ditë e afërt për ju?

Sigurisht që gjithkush si futbollist e ka si ëndërr ekipin kombëtar. Unë jam duke punuar vazhdimisht për rritjen e aftësive të mia profesionale, për të arritur 100% të formës sime. Besoj se kam bërë shumë mirë në këto 4 ndeshje. Pavarësisht nga kjo, e ndiej se ende nuk jam në maksimumin e formës sime. Jam në kërkim të formës sime më të mirë për të qenë edhe më i vlefshëm për skuadrën. Më pas do të jenë të tjerët ata që mund të vlerësojnë performancën.

Si ndihet Teqja te Kamza, pasi keni ardhur direkt pas fitimit të titullit në Maqedoni me Shkëndijën?

Futbolli kështu e ka, asgjë nuk mund të parashikohet, si uljet dhe ngritjet në karrierë. Isha i bindur për të firmosur te Kamza. Tashmë ndihem shumë mirë. Është një grup lojtarësh mjaft i admirueshëm. Ngrohtësia, miqësia është e mrekullueshme e po ashtu respektimi ndaj njëri-tjetrit janë në maksimum. Madje, mund të them i sigurt se do të kemi të ardhme shumë pozitive.

Mund të bëni një krahasim se cili prej këtyre kampionateve ka nivel më të lartë?

Kampionati shqiptar, ku kam dhe karrierën më të gjatë futbollistike. Vazhdimisht e kam thënë se është më i fortë në aspektin fizik, ka presion për rezultatin në çdo ndeshje dhe kjo bën që skuadrat të luajnë fort. E kundërta ndodh në Maqedoni, ku më shumë futbolli luhet me lojë të hapur, është më shumë teknik dhe zbulohen vazhdimisht talente. Kampionati shqiptar po rritet shumë, si dhe është shtuar konkurrenca për titullin kampion.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"