Teo Hernandez dhe Tonali trembin Milanin, flet Pioli: As Çelsi e as Juventusi nuk na frikësojnë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 14:24


Teo Hernandez dhe Tonali trembin Milanin, flet Pioli: As Çelsi e as Juventusi nuk na frikësojnë!

Humbja me Napolin ka turbulluar disi ujërat edhe te Milani, ndonëse kuqezinjtë bënë një ndeshje fantastike, edhe pse në fund ishin të kaltrit ata që bënë festë në “San Siro”.

TEO HERNANDEZ

Gjithsesi, më shumë se sa disfata me jugorët, e cila mund të pranohet duke marrë parasysh se flitet për një konkurrente direkete për titull, ato që ngrenë alarmin në Milano janë dëmtimet.

Edhe pse lajmet e mira deri pak orë më parë thonin se sulmuesit Ante Rebiç dhe Divok Origi janë në fazë riaftësimi dhe do të jenë në dispozicion për ndeshjen e ardhshme me Empolin, janë problemet e Teo Hernandezit dhe Sandro Tonalit, që prishin shumë plane për “Djallin”.

Liderët e mbrojtjes dhe mesfushës kuqezi kanë dalë që të dy me probleme nga sfida me Napolin, por stafi mjekësor i Milanit nuk arrin që të japë një kohë të saktë lidhur me rikthimet e tyre në fushë.

Mbrojtësi i majtë francez është ai që tremb më shumë, pasi tërheqja pavarësisht rezonancave është mes gradës së parë dhe të dytë, ndaj nuk ka një datë fikse për rikthimin e tij.

TONALI 1

Teo është jetik për skemat e Piolit, ashtu sikurse është Tonali për mekanizmat e mesfushës. Ky i fundit la dje grumbullimin e kombëtares italiane për çështje fizike dhe pritet që të vlerësohet sot nga stafi i Milanit, pasi mjekët e kombëtares dhanë urdhrin që të kthehet në shtëpi.

Ndoshta, për të dy lojtarët duhet pritur edhe 2-3 ditë të tjera për të parë se si do të evoluojë dëmtimi dhe vetëm më pas do të bëhen llogaritë nëse do të jenë prezent në sfidën me Çelsin në Champions (5 tetor), pasi me Empolin nuk duket se kanë shanse, apo edhe me Juventusin, të shtunën e 8 tetorit.

FLET PIOLI – Gjithsesi, ai që nuk kërkon që t’i ushqejë frikë skuadrës së tij është Stefano Pioli. Trajneri i Milanit dje u vlerësua me çmimin “Nereo Roko” në Firence, ku përfitoi për të folur edhe për disa nga ndjesitë e këtij sezoni që sapo ka nisur.

“Po provojmë që të përmirësojmë ende nivelin tonë dhe besoj se po bëjmë gjëra fantastike, edhe pse vështirësitë në kampionat janë evidente.

Kjo, në sensin që sivjet ka shumë skuadra të forta dhe pretendente, që do të luftojnë deri në fund, një grup ku pa dyshim edhe ne jemi pjesë dhe do të luftojmë për fitoren finale, deri në sekondën e fundit.

Humbja me Napolin? Pas 9 muajsh që nuk e njihnim këtë ndjesi mund të pranohet besoj, ndonëse e rëndësishme është që bëmë një tjetër lojë të bukur.

I kuptoj pritshmëritë ndaj nesh, pas titullit të fituar sezonin e kaluar, por sezoni do të jetë shumë i gjatë dhe për mua ndeshja më e vështirë që do të kemi është ajo e radhës, me Empolin.

Përveç dëmtimeve do të gjej edhe lojtarë që mund të kenë luajtur vetëm 48 orë përpara 90 minuta të plota me kombëtaret e tyre dhe kjo është tepër delikate.

Gjithsesi, është e kotë që të qahemi, por të vazhdojmë të punojmë që të gjejmë vazhdimësi.

Çelsi dhe Juvja udhëkryqet e sezonit? Me Çelsin mund t’i luajmë ballë për ballë të dyja ndeshjet radhazi që kemi, pasi jemi në të njëjtin nivel.

Nuk kemi nevojë që në sfidat me Çelsin dhe atë me Juven të kuptoj se cilët jemi! E përsëris, jemi Milani, një skuadër shumë kompetitive që do të luftojë në çdo aspekt.

Rinovimi nuk po vjen? Te Milani ndihem në shtëpi dhe kur dikush punon çdo ditë me këtë ndjesi nuk kërkon që të marrë parasysh asgjë tjetër.

Kemi ende gjëra të mëdha për të bërë së bashku, ndaj nuk jam aspak i shqetësuar për kontratën (skadon në 30 qershor 2024). Për rinovimin e saj ka kohë, prandaj tani dua vetëm që të kuptoj sa më mirë se si do ta rinisim sezonin pas kombëtareve”, tha Pioli pas marrjes së çmimit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA