“Tentuan të më bllokonin”, Asani “thumba” Kukësit: Harruat bishën Solomon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 22:00

“Tentuan të më bllokonin”, Asani “thumba” Kukësit: Harruat bishën Solomon

Partizani mori një fitore fantastike 0-2 në transfer të kundër Kukësit në javën e dytë të Kategorisë Superiore, duke u rikthyer te suksesi pas humbjes së papritur 2-1 ndaj Kastriotit në javën hapëse të kampionatit. Golat nga Kardozo dhe Solomon u dhanë fitoren “demave të kuq” përballë verilindorëve.

Solomon Asani

THUMBAT E ASANIT – Jasir Asani, edhe pse nuk arriti të shënonte ndaj Kukësit, ishte një ndër më të mirët në fushën e blertë. Pas fitores, sulmuesi anësor ishte shumë aktiv në rrjetet e tij sociale. Nuk mund të mungonin as “thumbat” ndaj ekipit verilindor, pasi në një nga fotot që publikoi në krah të Solomonit, shkroi:

“Ata po mbulonin rreptësisht Asanin, por harruan që dhe Solomon është një bishë”. Kjo, referuar edhe vendosjes në fushë të disa lojtarëve të Kukësit nga trajneri Gega, i cili kërkonte medoemos të neutralizonte mëngjarashin e Partizanit. Kujtojmë që Solomon konsiderohej si një nga zhgënjimet e Partizanit sezonin e shkuar, teksa shënoi vetëm 5 gola. Madje edhe në ndeshjen e parë ndaj Kastriotit u kritikua sepse humbi dy raste të pastra.

SITUATA – Pas fitores ndaj Kukësit, situata te Partizani është shumë më e mirë. Humbja ndaj Kastriotit në javën e parë të kampionatit bëri që fryma në grup të mos ishte aspak pozitive, por “demat” reaguan shpejt dhe arritën të mposhtnin Kukësin.

Tashmë, situata është përmbysur dhe djemtë e Dajës duken tepër optimistë për vazhdimësinë e sezonit. Asani dhe Solomon me shumë gjasa do të jenë lojtarët më të rëndësishëm për strategun 54- vjeçar këtë sezon. Edhe Kardozo duket se e ka bindur trajnerin Daja, i cili i besoi një  fanellë titullari në sfidën delikate ndaj Kukësit. Braziliani shënoi golin e parë të sfidës dhe duke i hapur udhë suksesit të Partizanit.

KUPA E SHQIPËRISË – Fokusi i Partizanit do të jetë te Kupa e Shqipërisë, me ndeshjen e radhës që është kundër Apolonisë. “Demat e kuq” shkatërruan me rezultatin e thellë 5-0 skuadrën e Ilirisë në raundin e parë.

Daja me shumë gjasa do t’u besojë disa lojtarëve që nuk kanë gjetur hapësira në Superiore, ku mund të aktivizojë Brojën, Braun, por dhe talentin Tedi Cara. Në portë do të jetë Teqja, pasi kapiteni Hoxha është i grumbulluar me Kombëtaren. Ndërsa në mbrojtje, me shumë mundësi nuk do të ketë ndryshime, për shkak të alternativave që mungojnë për trajnerin Daja.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"