“Tentojmë vendin e 5-të”, Bruka: Besëlidhja shpëtoi, koha më dha të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2022 | 12:10

“Tentojmë vendin e 5-të”, Bruka: Besëlidhja shpëtoi, koha më dha të drejtë

Besëlidhja është kthyer bindshëm dhe tri fitoret e fundit janë dëshmia më e mirë. Me mbijetesën që thuajse është siguruar, në Lezhë po shohin larg. Ata mendojnë se mund të kapin zonën “play off” dhe duke qenë vetëm 4 pikë larg vendit të gjashtë, mundësitë janë reale.

alban bruka

Kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në mbyllje të këtij kampionati, lezhjanët do të luftojnë për të realizuar këtë mision. Alban Bruka e sheh ekipin e tij të shpëtuar, por u kërkon lojtarëve një sforco për të tentuar ngjitjen.

Edhe pse të shumtë ishin skeptikët për ndërtimin e një grupi “bio”, trajneri kurrë nuk u dorëzua dhe e çoi planin e tij përpara. Tani thekson se koha i dha të drejtë dhe për këtë ndihet krenar.

Këtë e pohoi gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”: “Që kur e kam marr në dorëzim Besëlidhjen, kisha një plan në kokë dhe e vura në zbatim. Jam i lumtur që tani po funksionon. Me presidentin ramë dakord që të ndërtonim një Besëlidhje ‘bio’, pra me produkt të gjithin lezhjan. Kështu vepruam praktikisht.

Duke e ditur se këtu në Lezhë ka një zinxhir moshash të Besëlidhjes, po ashtu edhe dy akademi private, isha i bindur se mund të ndërtonim një grup solid dhe konkurrues.

Me durim, punë e përpjekje ia dolëm që të mos ndryshonim strukturën e ekipit dhe tani gjithçka po funksionon sipas programit. Me tri fitoret e fundit, e kemi siguruam mbijetesën.

Jo vetëm kaq, por tani jemi drejt kapjes së zonës ‘play off’ dhe do t’ia dalim. Tani kam dhimbje koke për kapjen të paktën e vendit të pestë për të lehtësuar përballen në ‘play off’.

Në lojë janë edhe 18 pikë, ndaj duke punuar e luftuar të gjithë bashkë, kam besim se do të kemi rezultate”, deklaroi trajneri i Besëlidhjes, lezhjani Alban Bruka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"