Tentoi, por nuk ia doli! Braziliani Melo bën prapakthehu pas gjobës. Ja prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2020 | 17:06

Tentoi, por nuk ia doli! Braziliani Melo bën prapakthehu pas gjobës. Ja prapaskenat

Tentoi, por nuk ia doli! Ulliam Melo provoi që të largohej nga Partizani, tentativë të cilën ai e bëri publike me anë të një postimi në faqen e tij në “Instagram”, ku paralajmëronte edhe përfundimin e aventurës me të kuqtë. Duke qenë nën kontratë edhe për sezonin e ri, klubi ia ka bërë të qartë brazilianit që nuk kishte nga të shkonte, ndaj duhej të kthehej sa më shpejt te Partizani, përndryshe do të gjobitej për çdo ditë vonesë.

kordeiro melo

Pas mesazhit të lamtumirës të lënë në “Instagram”-in e tij, drejtuesit e klubit i kanë bërë të ditur lojtarit se ai ka kontratë edhe një vit dhe duhet ta përmbushë atë, pasi është në planet e stafit. Në të kundër, ai do të përballet me një gjobë afro 1 mijë euro për çdo ditë që do të mungonte në stërvitje.

“Panorama Sport” ka mësuar se sapo lojtari është njohur me këtë qëndrim të drejtuesve të klubit ka ndryshuar mendje duke i lënë pas hallet që pretendonte se kishte në vendlindje dhe ka prerë biletën për t’u kthyer në Shqipëri. Në kuadër të kësaj lëvizjeje 26-vjeçari ka bërë edhe disa ndryshime në profilin e tij në “Instagram”, ku ka fshirë mesazhin e lamtumirës, dhe në “story” ka publikuar një foto me fanellën e Partizanit duke festuar me dy gishtat në veshë.

Pra mesazhi është i qartë, duke lënë të kuptohet se njerëzit nuk duhet të dëgjojnë zërat e fundit, pasi ai do të rikthehet dhe kontribuojë sërish me Partizanin. Me ndryshimin e situatës së futbollistit brazilian edhe trajneri Daja do të jetë më i qetë, pasi do të ketë një titullar më shumë dhe nga java që vjen pritet që të nisë përgatitjet për sezonin e ri. Ulliam Melo ka qenë një nga goditjet e pakta që Partizanit i doli i “hajrit” nga futbollistët e afruar në verën e 2019-ës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"