Tensioni te Tirana, Ze Maria rrethon me gardh skuadrën. Izolohet ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 20:22

Tensioni te Tirana, Ze Maria rrethon me gardh skuadrën. Izolohet ekipi

Ze Maria kthehet në stërvitje dhe izolon Tiranën. Trajneri brazilian i Tiranës, tri ditë pas humbjes me Kukësin, kthehet në stërvitje. Sigurisht, ai është i privilegjuar dhe ka një ditë më shumë leje, por trajneri me t’u kthyer në grumbullim u ka kërkuar drejtuesve të skuadrës që të izolojnë Tiranën. Kështu, në “Skënder Halili” është izoluar çdo vrimë, duke u vënë përreth fushës një beze që të mbulohet fushëpamja e stërvitjes, pasi media është armiku i Tiranës. Dhe pasi është marrë me gardhin, trajneri ka diskutuar me lojtarët. Braziliani ka bërë një takim të shkurtër me futbollistët, por nuk ka zhvilluar analizë të detajuar. Ua ka prerë lojtarëve shumë shkurt.

tirana

“Nuk do të ketë diskutim të detajuar për ndeshjen, sepse jam i nxehur me ju. Analiza do të shtyhet 24 orë”. Fjalë këto, që gjithsesi çojnë tek e njëjta situatë. Fajin e kanë futbollistët dhe jo trajneri, që gjithsesi ndonjë “kunj” e ka hedhur në tavolinë. Dhe në këtë linjë, trajneri ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet e javës së ardhshme. Me shumë mungesa në ekip, trajneri ka nisur stërvitjen. Me grupin në stërvitje është bashkuar edhe Gentjan Muça. Trajneri ka simuluar disa veprime, të cilat të shtyjnë te një deduktim i qartë. Do të ketë ndryshim në skemat e lojës dhe lojtarët që do të luajnë nga minuta e parë. Në takimin me Ilirinë, rrotacioni është normal, por kundër Luftëtarit priten surpriza në formacionin bardheblu. Se cili nga titullarët do ta pësojë, kjo mbetet për t’u parë.

OFEI, DREJT HUAZIMIT TE BYLISI

Gideon Ofei me të gjitha gjasat nuk do të jetë pjesë e Tiranës. Klubi, duke parë numrin e lartë të të huajve, pritet të kalojë lojtarin e ri tek ekipi i Bylisit. Gideon Ofei në fakt është federuar te Tirana, por meqë merkatoja e Kategorisë së Parë nuk është mbyllur, ai mund të aktivizohet edhe me një skuadër tjetër. Pritet që klubi të zyrtarizojë kalimin e Ofeit në Ballsh. Kujtojmë që Ofei luajti 45 minuta në sfidën që Tirana humbi me Kukësin në “Loro Boriçi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"