Tensioni në mesjavë, Sormani duhet të bindë ndaj Laçit. Partizani e ka si finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2020 | 8:45

Tensioni në mesjavë, Sormani duhet të bindë ndaj Laçit. Partizani e ka si finale

Partizani luan një “finale” me Laçin sot në orën 17:00 në “Air Albania”. I vetmi objektiv që u ka mbetur të kuqve këtë sezon është Europa dhe Laçi i vendit të tretë është rivali kryesor. Të dyja skuadrat janë eliminuar edhe nga Kupa, ndaj shansin e kanë vetëm nëpërmjet kampionatit. Skuadra e Sormanit ndodhet 5 pikë larg kurbinasve të vendit të tretë dhe nëse ia dalin që të fitojnë, jo vetëm shkurtojnë diferencën, por marrin zemër edhe për ndeshjet e mbetura.Sormani Partizani

NJË TEST EDHE PËR TRAJNERIN

Trajneri Adolfo Sormani nuk ka dashur të prononcohet për mediat para ndeshjes. Një nga arsyet është tensioni gjatë mesjavës kur për disa minuta braktisi stërvitjen të martën. Por ndeshja e sotme është një test edhe për trajnerin. Të kuqtë kanë fituar dy ndeshjet e fundit me skuadrat që tashmë kanë rënë nga kategoria, Luftëtarin dhe Flamurtarin.

Natyrisht, 6 pikë kanë zbutur disi zemërimin e tifozëve për 5 humbjet radhazi, por kaq nuk mjafton për të thënë se gjithçka po shkon mirë. Partizani minimalisht duhet të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Europës dhe më pas të bëjë plane për sezonin e ardhshëm. Pikërisht këtu është “kleçka” edhe për Sormanin.

PARTIZANI

Nëse ky objektiv nuk arrihet, jo vetëm që mund të ketë ndryshime radikale në radhët e skuadrës, ku mund të sakrifikohen edhe senatorë të rëndësishëm, por do të komplikonte edhe pozitat e trajnerit. Italiani është ankuar publikisht se disa nga lojtarët nuk u përgjigjen pretendimeve të tij dhe se do të kërkojë që ta ndërtojë vetë ekipin e së ardhmes. Rrjedhimisht, për ta bërë këtë do të duhen edhe investime të reja, të cilat ka shumë të ngjarë që të varen edhe nga pjesëmarrja në Europë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"