Tension te Tirana, shkelma për formacionin. E pësojnë tre bardheblu (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 22:15

Tension te Tirana, shkelma për formacionin. E pësojnë tre bardheblu (E PLOTË)

Te Tirana të gjithë duan formacionin! Madje, me çdo kusht. Dy stërvitjet e djeshme të Tiranës kanë qenë një masakër më vete. Jo, nuk ka ndodhur ndonjë e pabërë, por vetë futbollistët, me lojën e tyre, dje kanë habitur të gjithë ndjekësit, pasi si asnjëherë tjetër kanë luajtur shumë fort ndaj njëri-tjetrit. Paradite, skuadra, veç ushtrimeve taktike, ka zhvilluar edhe lojë me top. Dhe këtu lojtarët nuk ia kanë përtuar njëri-tjetrit me lojë të ashpër, duke luftuar për një vend në formacionin që do të aktivizojë në Korçë. Aq të forta kanë qenë ndërhyrjet, saqë disa nga lojtarët janë frikësuar, ose nuk kanë luajtur shumë, ose kanë dalë në anësore.

TIRANA

NJË PASDITE SHKELMASH

Edhe pse paraditja ka qenë në lojë më burrërore, pasditja ka qenë edhe me pasoja, sidomos për 11-shen që mendohet të jetë në fushë kundër Skënderbeut. Të paktën tre lojtarë janë detyruar të lënë stërvitjen, ndonjëri duke u kthyer sërish në fushë e ndonjë tjetër, duke lënë përfundimisht përgatitjet për shkak të ndërhyrjeve jashtë normave të shokëve të ekipit. I pari që e ka pësuar nga loja e rëndë ishte Marvin Turtulli, i cili në një dyluftim u dëmtua në gju. Menjëherë u ndërpre stërvitja dhe lojtari kaloi në anësore dhe u kontrollua nga stafi mjekësor. Rezultoi një goditje në gju, por futbollisti i mbrojtjes, një nga më të mirët në Superiore, u kthye në fushën e lojës. Viktima e dytë e lojës së dhunshme ishte Erjon Hoxhallari.

Edhe pse futbollisti nuk do të luajë për shkak të kartonëve, dje mori një goditje gjatë lojës. Mbrojtësi i majtë la lojën në fillim, u kontrollua, u rikthye në fushë dhe gjatë 20 minutave të fundit, ai e pa stërvitjen i ulur në anë të fushës, pasi kishte marrë një goditje në kavilje. Edhe Edon Hasani pësoi dje një goditje të fortë, duke lënë përgjysmë stërvitjen dhe duke e ndjekur ekipin në fundore si Hoxhallari. Shkurt, për 90 minuta, tre lojtarë janë sakatuar. Kuptohet dëshira për të qenë në formacion, por edhe grinta ka një limit, pasi ekipi mund të pakësohet në numër për shkak të dëmtimeve të kota në stërvitje. Sa për të dëmtuarit, ata që sot do të jenë në stërvitje. Për momentin nuk ka asgjë për t’u alarmuar.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"