Tension te Dinamo, lojtari përplaset me administratorin. Ndërhyn Kamarata dhe i kujton se kush është trajneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2020 | 8:37

Tension te Dinamo, lojtari përplaset me administratorin. Ndërhyn Kamarata dhe i kujton se kush është trajneri

Dinamo arriti të marrë tri pikë mjaft të vlefshme ditën e shtunë në takimin kundër Burrelit, pas fitores 2-0. Kryeqytetasit kërkonin me çdo kusht fitoren dhe ia arritën qëllimit, edhe pse me shumë vështirësi. Madje, gazeta mëson nga burime të sigurta brenda ekipit sa ka pasur tension mes një lojtari dhe drejtuesve të klubit kryeqytetas.dinamo

Konkretisht, ka qenë administratori Ermal Barushi, i cili me të përfunduar pjesa e parë me rrjeta të paprekura, i nervozuar ka hyrë në dhomat e zhveshjeve dhe u ka folur lojtarëve me zë të lartë, duke u thënë se duhej të bënin më shumë, sepse performanca nuk ishte ajo e duhura dhe se ndeshja ishte shumë e rëndësishme.

Në atë moment ka reaguar lojtari italian, Niko Paterni, i cili i është kundërvënë ish-arbitrit, duke i pohuar të kundërtën e asaj çka Barushi ka folur. E më tej, shumë i acaruar, italiani i ka theksuar se më mirë do të ishte të futej vetë zyrtari në fushë.

Me të dëgjuar debatin, trajneri Kamarata ka ndërhyrë me zë të lartë, duke i folur dhe ai administratorit të klubit dhe duke i kërkuar të mos u flasë lojtarëve, pasi trajner është ai. “Ti zotëri mos hajde këtu dhe t’u flasësh lojtarëve, trajner jam unë këtu dhe jo ti. Lojtarëve u flas vetëm unë”, i ka thënë trajneri italian të deleguarit të presidentit Pontreli.DINAMO

Situata është qetësuar me ndërhyrjen e dy-tre futbollistëve, të cilët kanë tërhequr futbollistin Niko Paterni, pa i ndërhyrë aspak trajnerit Kamarata, i cili ka vazhduar të flasë në gjuhën italiane. Vetëm disa çaste më vonë administratori Barushi ka dalë nga dhomat e zhveshjeve dhe trajneri Kamarata ka vijuar t’u kërkojë lojtarëve të japin maksimumin, pasi ndeshja ishte shumë e vlefshme për ecurinë e ekipit. Drejtuesit e klubit kanë qenë të acaruar para kësaj ndeshjeje, ku kanë larguar sulmuesin Renato Spahiu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"