Tension për një penallti, skuadra e Kategorisë së Dytë i bën apel FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2019 | 11:09

Tension për një penallti, skuadra e Kategorisë së Dytë i bën apel FSHF-së

Memaliaj nuk ka shkuar më shumë se barazimi në ndeshjen me Maliqin që pretendon Kategorinë e Parë, por drejtuesit e ekipit vendës kanë kontestuar fuqishëm gjykimin. Sipas tyre, Memaliaj kishte përballë jo 11, por 14 kundërshtarë. Gjykimi i kryesorit Zhuli dhe asistentëve të tij i ka irrituar së tepërmi memaljotët për penalltinë e dhënë në favor të Maliqit dhe disa pozicione jashtë loje të dyshimta.

MEMALIAJ

NDESHJA – Takimi ka filluar me vendësit në sulm, ku në të 13-ën Al.Jaupi shpërdoron një rast të mirë. Memaljotët krijojnë volum loje, por pa mundur të shënojnë në pjesën e parë. Me fillimin e së dytës, në të 50-ën, Memaliaj kalon në avantazh me Miranin, i cili merr një top të gjatë nga Jaupi, i shkëputet mbrojtjes mike dhe 1-0.

PENALLTIA E KONTESTUAR –Pas një krosi në zonën e Memaliajt, topi preket nga Lalaj me dorë sipas kryesorit Zhuli që akordon penallti. Tahirllari godet saktë dhe 1-1, por 3-4 minuta para gjuajtjes memaljotët kanë kontestuar vendimin e gjyqtarit, sepse sipas tyre topi është prekur me fytyrë nga mbrojtësi. Pas këtij momenti nervozizmi është i dukshëm, loja ndërpritet shpesh dhe kështu vazhdohet deri në minutën e tretë shtesë. Gjithçka mbyllet 1-1.

MBLEDHJE TE MEMALIAJ – Pas takimit, drejtuesit e Memaliajt kanë zhvilluar një takim, ku kanë diskutuar për atë që ndodhi në fushë dhe për qëndrimin që do të mbajnë. Ata do t’i kërkojnë FSHF-së të marrë masa për gjyqtarët. Memaljotët pretendojnë se një nga drejtuesit e Maliqit, Anesti Binishi, është parë brenda ambienteve të stadiumit të Memaliajt me gjyqtarin. Nga sa është bërë e ditur, drejtuesit e klubit do të kërkojnë edhe një takim me presidentin dhe kryetarin e bashkisë për të hartuar një letër publike për presidentin e FSHF, Armand Duka. Nga ana tjetër, Maliqi largohet me një pikë nga kjo transfertë e vështirë, por nuk është hera e parë që në ndeshjet e këtij ekipi krijohen polemika sa i takon gjykimit.

ROLAND SULI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"